Sport

Rritja e Ligës së Parë

Prishtinë, 25 janar – Deri më 31 janar do të jetë i hapur afati kalimtar për futbollistë. Përderisa në Superligë nuk ka lëvizje të mëdha si në të kaluarën, klubet e Ligës së Parë kanë qenë mjaft aktive, duke sjellë në radhët e veta futbollistë me përvojë të madhe. Vitia ka bërë njërën prej goditjeve më të madhe, duke arritur marrëveshje me mbrojtësin Ilir Berisha (29), i cili ishte lojtar i lirë. Berisha ka karrierë të suksesshme edhe në Suedi, ku ka veshur fanellën e Orebros, Gefles dhe Vasterasit. Në Shqipëri ka luajtur për Flamurtarin e Vlorës, kurse në Kosovë për Prishtinën e Feronikelin. Berisha ka qenë edhe pjesë e Kosovës A, kurse tani do të luajë në rangun e dytë të futbollit kosovar.

Përveç Berishës, në stinorin pranveror në Ligën e Parë do të luajnë edhe disa lojtarë që në vitet e fundit kanë fituar tituj të kampionit. Mesfushori nga Gjakova, Albutrint Morina, që e fitoi titullin me Feronikelin në vitin 2019, ka kaluar te skuadra A&N nga Prizreni. Kjo skuadër po synon inkuadrimin në Superligë për herë të parë në histori. Te A&N janë transferuar edhe qendërmbrojtësi nga Vlora , Valdo Zeqaj, që ka veshur fanellën e Drenicës në stinorin vjeshtor, ish-mesfushori i Ballkanit, Durim Gashi, portieri nga Tirana, Kadri Biraj, kurse nga fillimi i sezonit te prizrenasit luan edhe Hasan Hyseni, ish-futbollist i Trepçës ’89 e Drenicës.

Aktive ka qenë edhe Malisheva, e cila në pjesën e parë të kampionatit ka përfunduar në pozitën e dytë me pikë të njëjta me Dukagjinin që është i pari në Grupin A. Edhe malishevasit po kërkojnë futjen në elitën e futbollit kosovar.

Te Malisheva ka kaluar mbrojtësi Viktor Kuka që e ka fituar titullin e kampionit me Prishtinën dhe Dritën. Së fundmi Kuka ishte pjesë e Feronikelit.

Malisheva është përforcuar edhe me Arbios Thaçin, që në vjeshtë ishte lojtar i Drenicës në Superligë.

Futbollisti i ri i Malishevës, Viktor Kuka, tha se projekti i klubit dhe trajneri Arsim Thaqi e kanë shtyrë që të pranojë ofertën.

“Vendosa të kaloj te Malisheva për shkak të projektit të klubit dhe për shkak të trajnerit Arsim Thaqi. Synimet e Malishevës janë të tregojë lojëra sa më cilësore dhe të luftojë për dy vendet e para. Me vetë faktin që kanë ardhur shumë lojtarë në Ligën e Parë nga Superliga, po kuptohet që është bërë ligë shumë cilësore dhe ka pak dallim nga Superliga”, tha Kuka.

Edhe Liria ka rikthyer në Prizren tre lojtarë. Portieri Armend Rugji, mesfushori Roni Gashi dhe sulmuesi i krahut, Liridon Fetahaj janë larguar nga Ballkani që bënë gara në Superligë, duke iu bashkuar prizrenasve në Ligën e Parë.

Forcimi i Ligës së Parë, pozitiv për futbollin

Trajneri i futbollit, Gani Sejdiu, që ka dy tituj të kampionit, me Trepçën dhe Feronikelin, ka thënë se Liga e Parë është bërë joshëse për shumë lojtarë të Superligës. Sejdiu, që ka punuar në këtë rang garash më herët, theksoi se organizimi i disa klubeve dhe kalimi i lojtarëve nga Superliga në kategorinë e dytë të futbollit kosovar ka ndikuar që të ketë edhe ngitje të cilësisë.

“Shumë lojtarë nga Superliga kanë kaluar në Ligën e Parë. Unë këtë e cilësoj si shumë pozitive për futbollin e Kosovës. Janë pesë-gjashtë klube të cilat janë shumë të organizuara, janë klube serioze që po investojnë shumë dhe për këtë duhet të përgëzohen. Shkuarja e disa lojtarëve nga Superliga drejt Ligës së Parë dëshmon se ajo ligë është joshëse dhe e organizuar mirë. Mendoj që edhe çështja e pagave është në nivel të mirë. Kur klubi dhe lojtari pajtohen për këto gjëra, atëherë shihet që Liga e Parë ka shënuar ngritje dhe konkurrenca është e madhe. Në atë ligë janë edhe disa trajnerë me përvojë të madhe”, tha Sejdiu.

Sipas Sejdiut niveli i disa ekipeve të Ligës së Parë, është shumë i përafërt me skuadrat e Superligës që ndodhen në pjesën e poshtme të tabelës.

“Mendoj që dallimi me Superligën nuk është shumë i madh, e kam fjalën për ekipet e kreut të Ligës së Parë dhe skuadrat nga mesi i tabelës së Superligës e poshtë. Ekipet e organizuara të Ligës së Parë mund t’iu bëjnë ballë disa ekipeve të Superligës. Për këtë do të bindeni. Atje ka lojtarë me përvojë që e ngrenë nivelin e ligës dhe futbollistë të rinj që për opinionin janë të panjohur, por që kanë cilësi. Mund të them se ekipi i Superligës së Kosovës që do të luajë në barazh me skuadrën e Ligës së Parë nuk do ta ketë aspak të lehtë, siç ka ndodhur në të kaluarën. Asnjëherë nuk ka ndodhur që të ketë kaq shumë ekipe të Ligës së Parë që janë kaq të organizuara. Po ashtu as investime kaq të mëdha nuk ka pasur. Të gjitha këto janë shumë pozitive”, theksoi Gani Sejdiu, i cili ka drejtuar disa ekipe të Superligës dhe ka përvojë të gjatë në futboll.

Në Ligën e Parë edhe Dallku

Edhe trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku, mendon që Liga e Parë ka shënuar ngritje të madhe. Dallku që ka qenë edhe trajner i Prishtinës, e sheh si pozitive kalimin e lojtarëve të Superligës drejt Ligës së Parë.

“Ka rritje në Ligën e Parë dhe kjo është evidente. Shkurtimi i Superligës e cila është bërë me 10 ekipe, e ka ndihmuar Ligën e Parë që të rritet. Lojtarët të cilët nuk e kanë gjetur veten në ekipet e Superligës do të mund të luajnë në Ligën e Parë, por mund të them se përveç disa lojtarëve që janë në moshë, ka edhe lojtarë të rinj të cilët do të mundohen ta tregojnë veten në këtë ligë. Mendoj që është rritur niveli në këtë ligë dhe kjo është në të mirë të futbollit të Kosovës”, tha Dallku.

Ish-futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë që synon ta inkuadrojë Dukagjinin në elitë shtoi se edhe kushtet për të punuar në Ligën e Parë janë përmirësuar shumë.

“Si për trajnerët ashtu edhe për lojtarët, është mundësi e mirë dhe ardhja e lojtarëve më përvojë e ngre nivelin në Ligën e Parë. Hiq katër-pesë ekipet e para të Superligës, mendoj që të tjerat janë të nivelit të përafërt me ekipet e kreut të Ligës së Parë. Në Ligën e Parë janë përmirësuar kushtet shumë. Unë po flas për Dukagjinin, ku kemi kushte mjaft të mira për punë, kemi edhe fushën ndihmëse për stërvitje. Sado që nuk janë të mira fushat me bar sintetik, ato po na kryejnë punë”, u shpreh Dallku.

Krahas përforcimeve, ekipet kandidate për t’u inkuadruar në Superligë nga Grupi A dhe B të Ligës së Parë, fazën përgatitore do ta kryejnë jashtë vendit. Dukagjini dhe Malisheva do të përgatiten në Antalia të Turqisë. Malisheva tashmë është në Turqi.

Pas stinorit vjeshtor të Ligës së Parë, Grupi A, Dukagjini është lider me 26 pikë, aq sa ka edhe Malisheva në vendin e dytë. Ndërkaq në Grupin B tri skuadra kanë pikë të njëjta. Flamurtari, Ulpiana dhe Vitia kanë nga 23 pikë pas 14 ndeshjeve.

Përveç lojtarëve që nga ekipet e Superligës kanë vendosur që karrierën ta vazhdojnë në Ligën e Parë, në këtë rang garash bëjnë pjesë edhe klube me nam në futbollin e Kosovës. Trepça nga Mitrovica, Vëllaznimi i Gjakovës, Liria dhe Vushtrria janë klube me traditë, por që në vitet e fundit vazhdimisht kanë qenë pjesë e Ligës së Parë.

Ka pasur vite kur dallimi i Superligës me Ligën e Parë ishte shumë i madh. Por cilësia asnjëherë nuk ka qenë më e përafërt.

Image

Ilir Berisha (djathtas) u kthye me bujë në futbollin kosovar, ndërsa ish-reprezentuesi tani do të luajë në klubin Vitia