Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, u paraqit i qetë para mediave pas stërvitjes së dytë të mërkurën.
Qetësinë e tij nuk e prishën as dy lëndimet e radhës në mesin e të ftuarve të tij për ndeshjen eliminatore të 11 qershorit kundër Turqisë, në Shkodër, shkruan sot Koha Ditore.
Mbrojtësi Avni Pepa dhe mesfushori Anel Rashkaj e përfunduan para kohës stërvitjen e së mërkurës në stadiumin "Agrom Rama" në Obiliq, ku po përgatitet përfaqësuesja për ndeshjen e gjashtë eliminatore për botërorin "Rusia 2018".
Të dy lojtarët u lënduan. Ankesa pati edhe mbrojtësi qendror Amir Rrahmani, por që e shtyu deri në fund seancën stërvitore. E jashtë fushës, me kapacitet jo të plotë vazhduan të stërviten mesfushori Valon Berisha dhe portieri Samir Ujkani, që nuk janë 100 për qind të gatshëm për lojë.
Për shkak të lëndimit mungoi edhe mbrojtësi Benjamin Kololli. Mbrojtësi i krahut Kololli, që debutoi në ndeshjen e parë kundër Turqisë vitin e shkuar, do të mungojë në këtë ndeshje, kurse për Pepën, Rashkajn, Berishën e Ujkanin gjithçka është e hapur. Për ta do të vendoset në ditën e ndeshjes, të dielën. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).
Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.