Kosova u bë pjesë e UEFA-s dhe FIFA-s në maj të vitit 2016. Ndërkaq klubet kosovare për herë të parë u paraqiten në garat evropiane në edicionin 2017/2018. Që nga ajo kohë në parakualifikime dhe në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve kanë marrë pjesë pesë ekipe kosovare: Trepça ’89, Feronikeli, Drita, Prishtina dhe Ballkani. Natyrisht, të gjitha si kampione të Kosovës.
Por, asnjë skuadër e Kosovës nuk ka arritur ende të kalojë në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve, garën elitare evropiane për klube.
Të gjitha janë ndalë në rrethin e parë kualifikues, më së largu.
Rundi parakualifikues në fakt është kaluar pa telashe nga ekipet kosovare. Por tashmë rundi parakualifikues i takon të shkuarës për kampionin kosovar, që starton prej rundit të parë kualifikues. Dhe rundi i parë mbetet kufiri.
Ballkani u bë ekipi i pestë i Kosovës që ndalet në këtë fazë garash.
Të mërkurën skuadra nga Suhareka u mposht në ndeshjen e kthimit nga Zhalgirisi pas 120 minutash lojë me rezultatin 1:0. Dueli i parë në Prishtinë kishte përfunduar 1:1. Me rezultat të përgjithshëm prej 2:1, ekipi nga Lituania avancon tutje, kurse Ballkani garat i vazhdon në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Skuadra që debutoi në Champions ishte kampionia e vitit 2017, Trepça ’89. Mitrovicasit u përballën me Vikingurin nga Ishujt Faroe. “Minatorët” i humbën të dyja ndeshjet, 2:1 si mysafir dhe 4:1 pësuan në “Adem Jashari”.
Golin e parë në kualifikimet e Championsit e shënoi Fiton Hajdari. Ai kishte realizuar gol të bukur ndaj Vikingurit si mysafir.
Në edicionin 2017/18 nuk kishte rund parakualifikues dhe 89-shi nisi prej rundit të parë kualifikues. U ndal aty.
Në edicionin 2018/2019, Drita ishte pjesë e Championsit, përkatësisht kualifikimeve. UEFA futi rundin preliminar në Champions. Drita e fitoi këtë rund, duke mposhtur Santa Coloman e Andorrës 2:0 dhe Lincolnin e Gjibraltarit, 4:1.
Më pas në rundin e parë kualifikues të Championsit, Drita u eliminua nga Malmo. 3:0 pësuan gjilanasit në Mitrovicë dhe 2:0 në Suedi.
Në edicionin 2019/2020, emocionet e Championsit i përjetoi Feronikeli. Në rundin preliminar ekipi nga Drenasi kaloi Lincolnin dhe Santa Coloman. Turneu ishte organizuar në Prishtinë.
Në rundin e parë kualifikues të Championist, Feronikeli u mënjanua nga skuadra uellsiane, The New Saints. Ndeshja e parë ishte mbyllur 2:2, kurse në Prishtinë ekipi kosovar ishte mposhtur 1:0.
Në edicionin 2020/2021, Drita si kampione e Kosovës u paraqit në turneun parakualifikues. Ishte kohë kur pandemia bllokoi thuajse çdo gjë.
Drita fitoi ndeshjen e parë ndaj Inter d’Escaldes të Andorrës, 2:1, për të kaluar në finale të parakualifikimeve. Por, dueli ndaj Linfieldit të Irlandës së Veriut, që ishte vendosur të luhej në Zvicër për shkak të situatës me COVID-19, nuk u zhvillua. Fillimisht u anulua për shkak se te Drita kishte disa raste pozitive me koronavirus. Më pas komisioni i UEFA-s vendosi që ndeshja t’i takojë Linfieldit me rezultat zyrtar 3:0 dhe kështu Drita u eliminua.
As edicioni 2021/2022 nuk ishte i suksesshëm për kampionin kosovar në Ligën e Kampionëve.
Prishtina, që fitojë titullin e kampionit pas tetë vjetësh, ia doli të kalojë turneun parakualifikues. Mposhti Folgoren e San Marinos dhe Inter d’Escaldes të Andorrës.
Në rundin e parë kualifikues Prishtina u ndal nga hungarezët e Ferencvaroshit, duke i humbur të dyja ndeshjet. 3:0 ishte rezultati në Hungari dhe 3:1 në “Fadil Vokrri”.
Fatin e Trepçës ’89, Dritës, Feronikelit dhe Prishtinës e pati edhe Ballkani, që nuk ia doli të kalojë në rundin e dytë, duke u mënjanuar nga Zhalgirisi.
Ballkani nisi prej rundit të parë kualifikues, falë ngritjes graduale të ekipeve kosovare në Evropë. Por u ndal menjëherë.
Pos 89-shit, skuadrat e tjera kanë vazhduar garat në Ligën e Evropës e në dy vjetët e fundit në Ligën e Konferencës pas eliminimit në Champions.