Kapiteni i “Dardanëve”, Amir Rrahmani është zgjedhur futbollisti i vitit në Kosovë. Për mbrojtësin qendror të skuadrës së Napolit, është hera e parë që e merr këtë çmim. Ceremonia e shpalljes së më të mirëve të vitit 2021 nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), u organizua të mërkurën. Të pranishëm në këtë ceremoni, shkaku i rrethanave të pandemisë, ishin vetëm fituesit, drejtuesit e FFK-së dhe Përfaqësueses së Kosovës. Rrahmani nuk ishte prezent në ceremoni, ndërsa kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e ndau çmimin për të.
Rrahmani ishte prej më të mirëve te Përfaqësuesja e Kosovës, që megjithatë nuk i kishte rezultatet e pritura. Në nivel klubesh është paraqitur me shumë sukses te Napoli, në vjeshtë. Napoli po lufton për titullin e kampionit në Serie A. Rrahmani është pjesë e mbrojtjes stabile të Napolit. Ndërkohë, më i miri i Superligës së Kosovës në futboll me votat e gazetarëve sportiv të Kosovës, u zgjodh mesfushori i skuadrës së Prishtinës, Endrit Krasniqi. Krasniqi ishte ndër më të dalluarit te Prishtina këtë vit që e fitoi titullin dhe Superkupën e Kosovës.
Trajneri më i mirë i vitit u zgjodh Zekirija Ramadani. Ramadani me Prishtinën e fitoi titullin e kampionit të Kosovës stinorin e kaluar. Ramadani më nuk është pjesë e Prishtinës.
E klubi më i mirë i vitit u zgjodh Prishtina. Prishtina fitoi titullin kurse në Evropë fillimisht mori pjesë në turneun parakualifikues të Ligës së Kampionëve. Fitoi 2:0 ndaj Folgores, e me rezultat të njëjtë e mposhti Inter d’Escaldesin. Në raundin e parë kualifikues u eliminua nga Ferencvaroshi i Hungarisë. Garimin evropian, Prishtina e vazhdoi në Ligën e Konferencës. Fillimisht, në raundin e dytë e kaloi ekipin nga Uellsi, Connah’s. Ndërsa, në raundi e tretë u eliminua nga Bodo/Glimti i Norvegjisë.
Epiteti i futbollistes më të mirë të vitit, i takoi Donjeta Halilit të KFF Mitrovicës.
Mitrovica u zgjodh klubi më i mirë në konkurrencën e femrave. Mitrovica ka fituar titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës për edicionin 2020/2021. Stinorin vjeshtor e përfundoi në pozitën e dytë të tabelë. Këtë edicion, Mitrovica ka luajtur në Ligën e Kampionëve. Në raundin kualifikues, fillimisht u mposht nga Valerenga e Norvegjisë (5:0). Më pas fitoi 3:0 ndaj skuadrës moldave, Agarista. Por nuk avancoi tutje. Golashënuesi më i mirë i vitit 2021, ishte Gerhard Progni që është kapiten i skuadrës së Gjilanit, ndërsa edhe këtë vit Feronikelit i takoi çmimi për klubin më ferplej. Kolumbiani Yulian David Diaz Montanez i FC Liqenit, u zgjodh lojtari më i mirë i vitit në futsall, e FC Liqeni klubi më i mirë. Gjyqtari i vitit u zgjodh Dardan Çaka. Ndërkohë, mirënjohje për të arriturat në referim mori gjyqtarja Lumturije Muhadri. Shpresa e vitit 2021 u zgjodh Vesa Paçarizi e KFF Malisheva. Në këtë ceremoni të FFK-së, gjithashtu u zgjodh edhe formacioni më i mirë i vitit në Superligë.