Në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll i gëzohen ndeshjes miqësore me Zvicrën. Deri te miqësorja në Zuerich kanë mbetur edhe gati dy muaj, por për përballjen e parë mes dy përfaqësueseve ka nisur të flitet herët.
Është kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, që të dielën mbrëma ka folur për KOHËN lidhur me ndeshjen e 29 marsit. Rrahmani është kthyer në Itali dhe ka vazhduar stërvitjet me Napolin, pas një pushimi të shkurtër.
Mbrojtësi prishtinas po kalon formë të lartë dhe pritet të jetë në krye të ekipit për miqësoren me Zvicrën. Ai pritet të ketë punë jo të lehtë. Zvicra është në moment shumë të mirë. Është kualifikuar në Botërorin e këtij viti, ndërsa kjo gjeneratë është paraqitur rregullisht në ngjarje të mëdha.
“Ndeshja me Zvicrën sigurisht se do të jetë speciale dhe e mirëpritur për të gjithë futbollistët. Do të jetë një miqësore me një kundërshtar shumë të fortë, që është dëshmuar tashmë në kampionate evropiane dhe botërore. Do të jetë një takim shumë interesant ndaj një kundërshtari tejet cilësor. Te Zvicra aktivizohen lojtarë nga Kosova dhe do të jetë takim emocionues. Gjithashtu edhe te ne ka lojtarë që në të kaluarën kanë luajtur për gjeneratat e reja të Zvicrës. Shpresojmë që të luhet me tifozë pasi dihet që në Zvicër ka shumë shqiptarë dhe do të ishte fantastike të luajmë para tyre”, ka thënë Rrahmani për KOHËN.
Lidhjet e futbollit mes dy vendeve janë shumë të forta. Zvicra jep lojtarë shqiptarë edhe për Kosovën, falë sistemit shumë të zhvilluar që ka. Ndërkohë, shqiptarët në futbollin zviceran janë në numër goxha të madh. Madje edhe në Përfaqësuese.
Ndonëse Zvicra është përfaqësuese e nivelit të lartë, Kosova nuk do të jetë inferiore ndaj saj. Kështu të paktën thotë Rrahmani.
“Ne natyrisht do të japim më të mirën që të arrijmë rezultat pozitiv në këtë ndeshje. E kemi parasysh se çfarë kualiteti kanë zviceranët, por ne do të japim maksimumin dhe më të mirën të vijmë edhe te rezultati pozitiv. Sigurisht është duel miqësor, por për ne do të jetë e rëndësishme që të paraqitemi sa më të mirë”.
Pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, raportet mes dy federatave nuk ishin më të mirat. Por tashmë raportet vlerësohen korrekte. Edhe helvetikët kanë marrë për bazë numrin e madh të shqiptarëve në Zvicër kur vendosën për miqësoren me Kosovën.
“Raportet e mira të cilat i kemi dhe lidhja që kanë futbollistët e Kosovës me Zvicrën, sigurisht që do ta bëjnë edhe më të veçantë këtë përballje. Dihet që edhe në kampionatin zviceran aktivizohen lojtarë të shumtë që luajnë për Kosovën. Do të jetë takim i veçantë për të gjithë, e në veçanti për lojtarët të cilët luajnë dhe kanë lidhshmëri me shtetin helevetik. Shpresoj që raportet e mira mes dy federatave të vazhdojnë edhe më tej dhe të thellohen edhe më shumë”, ka theksuar Amir Rrahmani, aktualisht futbollisti më në formë i Kosovës.