Në moshën 37-vjeçare, nuk është më sekret se koha po i mbaron Cristiano Ronaldos. Për portugezin nuk po bëhet aspak e lehtë që të luajë ende në nivel të lartë, ndërsa mundësitë për të luajtur në turne të rëndësishëm po pakohen gjithnjë e më shumë, raporton agjencia AP.
Mungesa e Ronaldos në Kampionatin Botëror “Katari 2022” mund të nënkuptojë se ai më kurrë nuk do të luajë në turneun e madh të futbollit për shkak të moshës. Përfaqësuesja e Portugalisë përballet me dy ndeshje që duhet patjetër t’i fitojë në plejof, nëse dëshiron që të paraqitet në Botërorin që mbahet në fund të këtij viti. Duelin e parë në kuadër të gjysmëfinales e luan të enjten me Turqinë (20:45), dhe në rast se fiton, atëherë në finale do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër, që luhet në Palermo ndërmjet Italisë dhe Maqedonisë së Veriut për të siguruar biletën për Katar.
Edhe pse askush nuk e di nëse Ronaldo do të luajë ende në Botërorin e ardhshëm në moshën 41-vjeçare, por dështimi i Portugalisë për t’u kualifikuar në Katar do të ishte një nga pengesat më të mëdha në karrierën e sulmuesit portugez. Megjithatë, Ronaldo nuk po e mendon dështimin, pasi është i bindur se Portugalia do ta tejkalojë edhe këtë pengesë për t’u paraqitur në Botëror.
“I përqendruar plotësisht në Kupën e Botës 2022”, shkroi Ronaldo në “Instagram”. “Si gjithmonë, jam krenar që përfaqësoj Portugalinë. Ne e dimë se nuk do të jetë e lehtë. Ne kemi respektin maksimal për kundërshtarët që do të përballemi dhe ata kanë të njëjtat synime si ne. Por së bashku do të luftojmë për ta vendosur Portugalinë aty ku e meriton. Le ta bëjmë!”.
Ronaldo po përpiqet të paraqitet për herën e dhjetë rresht në një turne të madh futbolli. Ai është lojtari i vetëm që ka shënuar të paktën një gol në nëntë turnetë që ka marrë pjesë, seri kjo që filloi në “Euro 2004” dhe përfshin edhe katër evropiane tjerë dhe katër kampionate botërore.
Është lojtari aktiv i Portugalisë në më së shumti gola të shënuar në Botëror, shtatë sosh, dy më pak se legjenda Eusebio. Portugalia ra në plejof pas një humbjeje 2:1 me Serbinë në shtëpi, në ndeshjen e fundit të Grupit A në muajin nëntor, kur nikoqirët hapën rezultatin, por pranuan golin vendimtar në minutën e 90-të. Një barazim nga ky takim do t'i mjaftonte Portugalisë për t’i mbyllur kualifikimet e para në grup. E nëpërmjet plejofit Portugalia po tenton të kualifikohet për të gjashtën herë radhazi në Botëror. Për ta bërë këtë, ekipit portugez, të prirë nga Ronaldo, i duhen dy fitore rresht.
“Nuk është situata ideale, por tani jemi në këtë situatë dhe duhet ta përballojmë me përgjegjësi. Ne duhet të fokusohemi që të fitojmë dhe jo të ankohemi që kemi ardhur në një situatë të tillë. Jemi dy ndeshje larg kualifikimit në Kampionatin Botëror, të cilat mendoj se mund t’i fitojmë”, ka thënë sulmuesi i Liverpoolit, Diogo Jota. “Megjithatë, ne do të fokusohemi fillimisht te dueli me Turqinë dhe pastaj do të mendojmë për ndeshjen tjetër”.
Për ta bërë edhe më të vështirë kualifikimin në Botëror për Portugalinë, përzgjedhësi Fernando Santos ka një skuadër të varfëruar që shkon në ndeshjen kundër Turqisë për shkak të lëndimeve, pezullimeve dhe koronavirusit. Mbrojtësit e tij titullarë, Pepe dhe Ruben Dias, mungojnë. Pepe është prekur me koronavirus, ndërsa Dias është i lënduar. Santos gjithashtu nuk do të jetë në gjendje të llogarisë as te portieri Anthony Lopes, mbrojtësi Nelson Semedo dhe mesfushorët Renato Sanches e Ruben Neves për shkak të lëndimeve, ndërsa mbrojtësi Joao Cancelo mungon për shkak të pezullimit. Dështimi në plejof mund të nënkuptojë edhe fundin e rrugës në përfaqësuese edhe për 39-vjeçarin Pepe, e ndoshta edhe për trajnerin Santos, i cili është në krye të Portugalisë që nga viti 2014.