Sport

Ronaldo e Juventusi po hetohen për një dokument 20-milionësh

Hetuesit kanë gjetur një “dokument sekret” të nënshkruar nga Juventusi dhe Cristiano Ronaldo, ku klubi i premtoi ish-sulmuesit 20 milionë euro, pavarësisht njoftimit të rregullimit të pagave gjatë kohës së vështirë të pandemisë së koronavirusit.

Juventusi është nën hetim për kontabilitet të rremë dhe për lajme të pavërteta në treg, ka shkruar “La Gazzetta dello Sport” të mërkurën.

Gjiganti i Serie A po dyshohet se ka falsifikuar bilancet për vitet 2019, 2020 dhe 2021, si dhe të drejtorëve, përfshirë presidentin Andrea Agnelli dhe zëvendëspresidentin Pavel Nedved. Të gjithë janë nën hetime dhe një gjë e tillë është konfirmuar nga prokurori në Torino të hënën.

Kjo nuk është e tëra pasi hetuesit janë duke u munduar të zbardhin rastin se lojtarët nuk kanë hequr dorë në të vërtetë nga katër paga mujore në marsin e vitit 2020, por ata kanë pranuar paga për tre muaj pasi kanë nënshkruar dokumente private me gjigantin italian të futbollit.

Guarda Di Finanza, Policia Financiare e Italisë, po bën kërkime për marrëveshjet private mes klubit dhe lojtarëve, përfshirë edhe Cristiano Ronaldon.

Sipas raportimeve, Juventusi i kishte premtuar Ronaldos pagesë prej 19.9 milionë eurosh, edhe nëse ai largohet nga klubi.

Prokuroria në Torino beson se marrëveshja e pagesës mes dy palëve nuk është regjistruar si e rregullt në pasqyrën financiare të Juventusit.