Sport

Rinovimi që ishte premtuar të kryhej në fund të 2020-s nuk dihet kur do të nisë

Foto: Driton Paqarada

Rreth 15 muaj pritet të zgjasin punimet për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Në maj të vitit të kaluar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte premtuar se stadiumi olimpik do të jetë gati në fund të 2020-tës. Ishte premtuar se deri atëherë do të kryhet rinovimi i plotë i stadiumit të madh buzë lumit Ibër.

Por rinovimi as që ka nisur dhe madje nuk dihet kur do të nis. Punimet në stadium ishte pritur të fillonin verën e vitit të kaluar, raporton Koha.net.

Në Federatën e Futbollit të Kosovës po shqyrtojnë mundësinë që ta paraqesin kërkesë në UEFA për rilicencim të stadiumit “Adem Jashari”. Pra me kushtet aktuale të këtij stadiumi. Kjo nënkupton se në FFK nuk janë të bindur se shpejtë do të nisin punimet për rinovimin e stadiumit, përkatësisht për ta ngritur atë nga kategoria e dytë në kategori të katërt.

Në stadiumet e kategorisë së katërt (sipas kritereve të UEFA-s), mund të luhen ndeshje zyrtare edhe të përfaqësueseve A të futbollistëve. Ndërkohë në stadiumet e kategorisë së dytë mund të luhen ndeshje miqësore të përfaqësueseve A, ndeshje zyrtare të futbollisteve dhe të kategorive të reja (meshkujt e femrat) si dhe ndeshje të fazave të hershme kualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës.

Në vitin 2014 stadiumi “Adem Jashari” ishte rinovuar për të plotësuar kushtet minimale për ndeshje miqësore të përfaqësueses A. Ishin luajtur miqësoret me Haitin dhe Turqinë, ndërsa arena olimpike ishte e mbushur me shikues. Një renovim tjetër ishte bërë disa vite më vonë, ndërsa në këtë stadium u luajtën ndeshje kualifikuese të Championsit dhe të Ligës së Evropës nga Trepça ’89, Prishtina e Drita.

Stadiumi nuk është mirëmbajtur asnjëherë si duhet dhe ka nisur të shkatërrohet. Në nëntor të vitit 2018, FFK-ja kërkoi nga MKRS-ja që stadiumi në Mitrovicë të rinovohet dhe të ngrihet nga kategoria e dytë në të katërt. MKRS-ja u përgjigj pozitivisht, ndërsa Ministri i atëhershëm, Kujtim Gashi, kishte premtuar investim prej 8 deri në 12 milionë euro.

Më 27 maj të vitit të kaluar, MKRS-ja përmes një përgjigje me shkrim për Kohën Ditore, kishte thënë se stadiumi do të jetë i rinovuar dhe i gatshëm në fund të 2020-tës. Kjo nuk ka gjasë të ndodhë.

“Planifikimi i fillimit të punimeve pritet së shpejti, ndërsa pas nënshkrimit të kontratës është plani dinamik që përcakton afatin e realizimit sipas kushteve të kontratës, që është 15 muaj. Në fund të 2020-tës, stadiumi olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë do të jetë i përfunduar”, thuhej në përgjigjen me shkrim të MKRS-së të 27 majit të vitit të kaluar.

Pas rinovimit të stërzgjatur të stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, stadiumi në Mitrovicë mbeti anash. Edhe punimet e bëra në të ishte vlerësuar se nuk ishin të duhurat. Ai është dëmtuar gradualisht, por FFK-ja të shtunën ka thënë se stadiumi “Adem Jashari” po mirëmbahet. Në muajt e kaluar, derisa po pritej fillimi i punimeve, ka pasur edhe largim të inventarit nga stadiumi. FFK-ja nuk kishte dhënë informata për këtë.

“Për shkak të aktiviteteve të shumta ndërkombëtare kërkohet që të kemi së paku dy stadiume të kategorisë IV, me qëllim të plotësimit të standardeve minimale për zhvillimin e futbollit. Po ashtu do të investohet në plotësimin e standardeve për shtigjet e atletikës, sipas IAAF-së, që të organizohen gara ndërkombëtare në disa disiplina të atletikës. Ky investim do të jetë sipas normave të përcaktuara nga UEFA, që Kosova të përmbushë standardin minimal, që të ketë dy stadiume të kategorisë IV për zhvillimin e garave ndërkombëtare dhe kombëtare”, është thënë nga MKRS-ja.

Të shtunën drejtori i Departamentit të Sportit në MKRS, Ibër Alaj, ka thënë se punimet do të nisin pasi të kalohet situata me koronavirus. Sipas tij punimet nuk kanë nisur vetëm për shkak të koronavirusit.
Megjithatë, me ecurinë aktuale, ka gjasë që stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë mos të jetë gati as në fund të vitit 2021. Nëse FFK-ja vendos që stadiumin ta rilicencojë për kategorinë e dytë, dhe për këtë arrinë marrëveshje me MKRS-në, atëherë renovimi do të shtyhet edhe më tutje.

Në vend vazhdimisht ka pasur vonesa e vërejtje që lidhen me infrastrukturën sportive. Disa palestra që kanë nisur të ndërtohen mbi një dekadë më parë, si ajo e Istogut, nuk janë përfunduar ende.