Sport

Rikthimi i suksesshëm i Hamitit pas lëndimit të rëndë

Genc Hamiti asistoi dy herë të dielën në fitoren e Drenicës kundër Dukagjinit me shifrat 2:1. Dy pasimet ishin të bukura dhe u dhënë mundësi Baton Zabërgjës dhe Armend Abazit që të dalin të vetëm me portierin Kenan Haxhihamza, të cilin e kaluan dhe realizuan gola.Hamiti të hënën është shpallur lojtari më i mirë i xhiros së 20-të në elitën e futbollit kosovar. Shpalljen e bën çdo javë Federata e Futbollit e Kosovës.

Mesfushori nga Skenderaj ka filluar ta kthejë formën e dikurshme, pas një lëndimi të rëndë që e pati vitin e kaluar.

Në edicionin 2017/2018, Hamiti ka qenë golashënuesi më i mirë i Drenicës, ku kishte realizuar 12 gola në Superligë. Në atë kohë luante si qendërsulmues, kurse tani është mesfushor ofansiv. Veçohet për kreativitet dhe asistime që i bën.

28-vjeçari e pranon se formën më të mirë si futbollist e ka kaluar te Drenica, klub ku është rritur si lojtar. Ai ka veshur edhe fanellën e Prishtinës, Hajvalisë dhe të Ferizajt, por te asnjëra nga këto ekipe nuk e ka gjetur shkëlqimin.

Hamiti thotë se ka filluar të marrë veten pas lëndimit të rëndë që e ka pësuar para një viti, i cili e ka lënë jashtë fushës për gjashtë muaj.

“Personalisht jam duke e fituar ritmin e ndeshjeve. Jam rikthyer prej një lëndimi të rëndë dhe po mendoj që më ka bërë më të fortë. Kam operuar ligamentin kryqëzor, ligamentin anësor dhe meniskun. Ekipi po tregon lojëra të mira në vazhdimësi. Edhe rezultatet nuk kanë munguar, megjithatë mendoj që kemi merituar më shumë”, u shpreh Hamiti.

Ai edhe pas rikthimit nga lëndimi ka pauzuar për disa muaj shkaku i disa problemeve që nuk lidhen me sportin.

Hamiti thotë se në të gjitha ekipet ku ka luajtur e ka dhënë më të mirën. Por te Drenica i kanë besuar më shumë. Te kuqezinjtë luan me shumicën e lojtarëve me të cilët është rritur dhe kjo i ka ndihmuar shumë.

“Në Drenicë me shumicën e lojtarëve kemi luajtur prej grupmoshave të reja dhe kjo e bën më të lehtë për të bashkëpunuar. Normalisht, vendlindja të bën ta shijosh më shumë suksesin. Formën jam munduar ta mbaj në të gjitha klubet ku kam luajtur, por Drenica më ka dhënë mbështetje më shumë. Besoj se te Drenica më kanë njohur më shumë dhe më kanë besuar rolin në ekip”, tha Hamiti.

Gec Hamiti është paraqitur në nëntë ndeshje këtë edicion me Drenicën. Ka bërë gjashtë asistime.

Pas 20 xhirove të luajtura, Drenica mban vendin e pestë në tabelë. Ka 27 pikë.