Sport

Rifillon ndërtimi i palestrës që është dashur të jetë gati për sportistët që në vitin 2019

Gur themeli ishte vënë më 26 korrik të vitit 2017, ndërsa palestra është dashur të jetë gati në vitin 2019. Por palestra në fshatin Zhegër nuk është ende askund gati, ndonëse kanë kaluar dy vjet nga koha kur ajo është dashur të hapte dyert për sportistët zhegras.

Zhegra e ka një klub të hendbollit në Superligë që mezi po mbijeton. KH Zhegra ndeshjet si vendas kryesisht i luan në palestrën e Gjilanit. Sivjet, për shkak të vaksinimit, për kohë të gjatë i ishte mohuar edhe kjo palestër.

Por sfidat e Zhegrës mund të jenë dukshëm më të vogla në të ardhmen. Palestra që është dashur të jetë e mbushur me sportistë ka nisur të rindërtohet edhe një herë. Rindërtimi ka nisur të premten. Shpresat janë të mëdha që procesi i ndërtimit të jetë shumë më i lehtë e më i mbarë se në të kaluarën.

Ishin kryetari i atëhershëm i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pastaj Ibër Alaj dhe Muharrem Sahiti që kishin vënë gur themelin e palestrës në Zhegër më 26 korrik 2017. Ishte njoftuar se palestra do të ndërtohet me bashkëfinancim të Komunës së Gjilanit dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Në përvjetorin e madh të lindjes dhe vdekjes së Idriz Seferit ne sot po fillojmë punimet e palestrës së sporteve. Uroj që ky projekt të ketë dinamikë të plotë në realizim. Vlera e projektit është 1 milion e 100 mijë euro, që është financim i Qeverisë dhe Komunës së Gjilanit. Unë e pranoj me kënaqësi propozimin e Zhegrës që kjo palestër të emërohet me emrin e Shaban e Sami Ukshinit, dy luftëtarët e lirisë së shqiptarëve”, kishte thënë Lufti Haziri me atë rast.

Për më tepër, ai kishte paralajmëruar edhe investime tjera në infrastrukturën e Zhegrës. Por palestra nuk është ndërtuar ende. Ibër Alaj, atëbotë drejtor i Departamentit të Sportit në MKRS, kishte thënë se palestra do t’i ketë 800 ulëse. Madje kishte thënë se palestra do t’i plotësojë standardet ndërkombëtare. Në tabelën e vënë në vendpunishte kishte shkruar që afati i kryerjes së punimeve është nga viti 2017 e deri në vitin 2019.

Nuk ishte bërë thuajse asgjë për më shumë se një vit. Në një fotografi të publikuar më 3 tetor të vitit 2018 shihet që objekti as që kishte nisur. Më 3 tetor 2018 kishte rifilluar ndërtimi i palestrës. Ishte nënkryetari i atëhershëm i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, që kishte bërë një vizitë në vendin ku do ndërtohej palestra. Ai kishte folur për “dinamikë mjaft të madhe”. Por tani po del që deklarata nuk ishte shumë e bazuar.

“Punimet këtu janë duke u bërë me një dinamikë mjaft të madhe. Jemi në monitorim edhe me kompaninë mbikëqyrëse, por edhe përmes projekt-menaxherit tonë. Ky projekt është shumë i rëndësishëm për banorët e kësaj zone dhe kemi marrë zotimin e operatorit që në afat sa më të shkurtër do të përfundohet. Komuna do të jetë strikte në monitorim dhe zbatueshmëri”, kishte thënë Ismajli.

Në Zhegër, për arsye të njëjtë, të premten kanë qëndruar kryeministri Albin Kurti, i pari i MKRS-së, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni.

Kryeministri Kurti ka folur për probleme të trashëguara.

“Duke vlerësuar kontributin që Zhegra u ka dhënë jo vetëm historisë dhe ekonomisë, por edhe kulturës e sportit, kryeministri Kurti theksoi se tani Qeveria ka ndarë fonde për ta përmbyllur suksesshëm këtë projekt. Ne e kemi për obligim që të investojmë këtu dhe kësisoj ta shpijmë përpara sportin, por edhe aktivitetin shoqëror të këtij vendi, tha ai. Kryeministri ritheksoi zotimin e Qeverisë për të punuar për zgjidhjen e problemeve të trashëguara nga e kaluara dhe se do të sigurohet që njësoj të funksionalizohen të gjitha projektet kapitale të fushës së sportit që janë në ndërtim e sipër. Njëkohësisht Qeveria është duke punuar për të nisur projekte të reja kapitale me qëllim të shtrirjes së infrastrukturës sportive në tërë territorin e Kosovës”, ka njoftuar MKRS-ja.

Sipas njoftimit, “për shkak të parregullsive me komunën dhe me pagesat, operatori ekonomik e kishte shkëputur kontratën”.

MKRS-ja hapi tender për operator ekonomik të ri për të vazhduar projektin. Kontrata është nënshkruar më 22 dhjetor dhe projekti i ri është pak më i shtrenjtë, 1.2 milionë euro.

Nga fotografitë e publikuara shihet se kanë përfunduar vetëm gjëra bazike të punimeve të vrazhda. Shihet një bazë e betonit, disa shtylla dhe një pjesë e tribunës.

Probleme si ky me palestrën e Zhegrës ka pasur për shumë vjet në Kosovë. Së fundi është hapur palestra në Skenderaj, por pa ndriçim të duhur. Ishte hapur në kohë fushate. KV Skenderaj e kishte luajtur aty një ndeshje e më pas u kthye në palestra të shkollave.