Sport

Rezultatet e vitit 2019 pritet të merren për bazë për kategorizim

Federata e Xhudos e Kosovës pritet të jetë sërish e para me pikë të fituara në kategorizimin e sporteve, sportistëve dhe trajnerëve për vitin 2021. Kjo, për shkak se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) në koordinim me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK) pritet t’i marrin për bazë rezultatet e vitit 2019, meqë 2020-a vlerësohet si vit i dështuar, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë botën.

Shkaku i pandemisë së koronavirusit, shumë federata nuk kanë marrë pjesë në ngjarje të mëdha, siç janë kampionate evropiane dhe botërore. Në fakt, është shtyrë edhe ngjarja më e madhe në sport – Olimpiada. Shumë federata dhe sportistë nuk kanë mbajtur gara as në nivel vendi e as ndërkombëtar.

Dhe, për të mos u dëmtuar federatat, MKRS-ja dhe KOK-u mendojnë të marrin për bazë vetëm rezultatet e vitit të kaluar.

Kategorizimi i sporteve bëhet duke u bazuar në pikët e fituara sipas kritereve të cilat janë përcaktuar në rregullore. Pikët e mbledhura pastaj shumëzohen me vlerën financiare të një pike sipas kategorizimit të sporteve.

Federatat sportive të Kosovës kanë afat deri më 30 dhjetor ta kompletojnë dhe ta dorëzojnë dosjen për aplikim në Komitetin Olimpik të Kosovës për kategorizim.

“Parametrat e dimë që nuk mund të maten me të vitit 2019 bazuar me zhvillimin e garave ndërkombëtare. Shkaku i koronavirusit janë ndaluar kampionatet botërore dhe ato evropiane, po ashtu edhe Lojërat Olimpike që kanë pasur të nxjerrin një rezultat të paraqitjes së federatave sportive. Pra, këtë vit COVID-i ka penguar masivitetin apo rritjen e pjesëmarrjes në sport e po ashtu edhe rezultatet ndërkombëtare. Në aspektin rregullator të merret për bazë viti paraprak, pra rezultatet e vitit 2019. Rekomandoj dhe vlerësoj që t’i kenë në konsideratë anëtarët e komisionit, që rezultatet e vitit 2019 të vijnë në shprehje, sidomos cilësia dhe masiviteti”, ka thënë ushtruesi i detyrës së sekretarit të MKRS-së, Ibër Alaj për KOHËN.

Ndërkohë, kryetari i KOK-ut, Besim Hasani, pret të mos dëmtohen financiarisht federatat.

“Në raste të ndryshme joformale e kemi trajtuar këtë çështje. Ka logjikë që kriteri të ulet. Sidoqoftë, kësaj duhet parapri një konsultim i Komisionit përkatës dhe i Ministrisë. Besoj se lehtë do të bien dakord që federatat të mos dëmtohen për shkak të rrethanave objektive që kanë ndikuar të ketë më pak aktivitete dhe gara brenda e jashtë vendit. Opsioni i tretë mund të jetë ulja e standardeve, vlerësimi i rregullt, zvogëlimi i pragut për kategorizim dhe rritja e vlerës së pikës”, ka thënë Hasani.

Në fakt, përveç Federatës së Futbollit të Kosovës, që burimin kryesor financiar pas pranimit e ka nga UEFA, federatat e tjera të vendit mbështeten nga buxheti i shtetit.

Federatat në bazë të pikëve të marra nga rezultatet në arenën ndërkombëtare, masivitetit dhe disa kritere të tjera, ndahen në katër kategori, A, B, C dhe D.

Pos kategorizimit të sporteve është edhe Rregullorja për kategorizimin e sportistëve dhe trajnerëve, që po ashtu kategorizohen sipas rezultateve, në veçanti ndërkombëtare.

“Thuajse shumica e federatave kanë qenë të penalizuara nga mundësia për shpenzim te buxhetit, për mbajtjen e rregullt të stërvitjeve, organizimin e garave e kampionateve vendore, e po ashtu edhe pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare. Besoj se komisioni i vlerësimit do ta kryejë punën e vet që i takon në mënyre profesionale, ku besoj gjatë punës do të vlerësohet se si është gjendja me kategorizimin e federatave për këtë vit. Pas vlerësimit nga ana e komisionit mund të dilet me konstatime. Pastaj duhet diskutuar së bashku MKRS e KOK, e ndoshta edhe federatat, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme, zgjidhje kjo e cila nuk do të duhej të ishte jashtë rregulloreve dhe legjislacionit në fuqi. Mendoj se ka zgjidhje të mjaftueshme për t’u realizuar kategorizimi në mënyrën më të mirë”, ka thënë sekretari i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj duke shtuar se nuk duhet të penalizohen federatat, por nga procesi i kategorizimit të dalin “të padëmtuara, më të forta dhe më të mbështetura nga institucionet shtetërore”.

Të arriturat më të mëdha i ka sporti i xhudos.

Trajneri Driton Kuka shpreson t’u bëhet një zgjidhje.

“Shtyrja e Olimpiadës ka sjellë telashe, sepse çdo gjë bazohet në cikël olimpik. Si do të duket kategorizimi nuk e di, por besoj se Ministria bashkë me KOK-un do të gjejnë një mundësi për t’u tejkaluar kjo situatë, sepse pa gara janë shumica e federatave sportive”, ka thënë Kuka.