Kastriot Rexha vlerësohet si njëri ndër sulmuesit më të mirë në Kosovë në dekadën e fundit. Ka fituar tri herë titullin e kampionit pas pranimit të futbollit kosovar në UEFA dhe në FIFA. Dy herë është shpallur kampion me skuadrën e Dritës nga Gjilani dhe një herë me ekipin nga Drenasi, Feronikeli. Ka edhe një titull me Hysin e Podujevës, klub që nuk ekziston më, pasi është shuar.
Në fakt, Rexha ka fituar gjithçka që fitohet në futbollin e Kosovës, titullin e kampionit, Kupën dhe Superkupën. Po ashtu, ka qenë edhe golashënuesi më i mirë i Superligës në edicionin 2018/2019, në kohën kur luante me fanellën e Feronikelit. Me skuadrën nga Drenasi ka luajtur edhe në garat evropiane, kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës. Për herë të parë pas një kohe të gjatë Kastriot Rexha ka vendosur që të luajë për një skuadër që nuk lufton për titullin e kampionit. Ai iu bashkua Drenicës nga Skenderaj në muajin e shkuar. Ekipi kuqezi synon mbetjen në Superligën e Kosovës, ndërsa është eliminuar edhe nga Kupa në 1/8 e finales. Rexha e pranon që nuk ka luajtur për një skuadër që nuk lufton titull tashmë një kohë të gjatë, por insiston se edhe përkundër kësaj, është shumë i lumtur që ka zgjedhur Drenicën. Drenica aktualisht zë vendin e gjashtë në tabelë me 24 pikë të grumbulluara pas 19 xhirove të luajtura në Superligë.
“Më të thënë të vërtetën, ka shumë kohë që unë nuk kam luajtur për një ekip që nuk lufton për titullin e kampionit. Por, prapë jam i kënaqur që jam te Drenica. Synoj që me ekipin të stabilizohemi në Superligë dhe në edicionin tjetër të arrij më shumë”, tha Rexha për KOHËN të mërkurën.
Ai thotë se Drenica ka qenë skuadër që iu ka përshtatur më së shumti nga të gjitha ofertat e ekipeve tjera që i kishte në tavolinë. Insistoi se edhe loja e Drenicës i shkon shumë për shtati. Në fakt Rexha është rikthyer në fushë pas një lëndimi që e mbajti jashtë futbollit për gati një vit.
“Të them të drejtën, mënyra e lojës së Drenicës më konvenon shumë mua. Kam pasur oferta të shumta, por mendoj që zgjedhja më e mirë për mua ka qenë Drenica. Besoj që shumë shpejt do të jem i gatshëm 100 për qind për ta ndihmuar ekipin. Për momentin i kam pasur dhjetë minuta në Kupë. Po punoj shumë që ta ndihmoj skuadrën në arritjen e objektivave”, u shpreh Rexha.
33-vjeçari është i bindur se Drenica do të jetë pjesë e elitës së futbollit kosovar edhe për sezonin tjetër. Kur e thotë këtë, Rexha bazohet në atmosferën e mirë që po mbretëron në ekip.
“Gjërat po ecin mirë deri më tani, atmosfera është shumë e mirë, të gjithë në klub më kanë pritur mirë dhe shpresoj që të kemi rezultate të mira. Synimi i klubit është të stabilizohet në Superligë këtë sezon dhe në sezonin tjetër të kërkojë më shumë”, deklaroi Rexha.
Përveç rezultateve me ekipin, Rexha po punon që ta kthejë edhe formën e tij të dikurshme. Ai u lëndua në kohën sa ishte pjesë e Dritës.
“Sigurisht, unë do të jap më të mirën për ta ndihmuar Drenicën, por edhe për ta rikthyer formën time që kam pasur. Lëndimi që kam pësuar në sezonin e kaluar më ka lënë jashtë për shumë muaj”, përfundoi Rexha, që u largua nga Drita vitin e shkuar.
Ndeshjen e ardhshme Drenica e luan këtë vikend në udhëtim te skuadra e Dukagjinit.