Shumë gjëra ka treguar paraqitja e ekipit të futsallit Liqeni në raundin kryesor (Main Round) të Ligës së Kampionëve.
E para që ra në sy ishte shikueshmëria. Pak shikues kishte në tri ndeshjet që Liqeni i luajti në Ligën e Kampionëve, në Prishtinë. Rënia e shikueshmërisë është dëshmi për rënien e përgjithshme të futsallit (futbollit të sallës).
“Mendoj që interesimi i të rinjve është kthyer kah futbolli i madh, pikërisht për shkak të financave. Ndoshta aspekti financiar është edhe arsyeja kryesore”, ka thënë Suad Keçi të dielën për KOHËN. Keçi vlerësohet si një prej lojtarëve më të mirëve në futboll të vogël dhe në futsallin e Kosovës.
Lojtarë e ish-lojtarë të tjerë që kanë dhënë kontribut në futsallin kosovar janë shprehur se shuarja e ekipeve që dikur kishin fjalën kryesore si dhe mungesa e ndeshjeve derbi, janë prej arsyeve për rënien e madhe të sportit që dikur vlerësohej me potencial të jashtëzakonshëm.
Lojtarët e futsallit në të kaluarën kanë marrë paga të mëdha. Ndryshe është tani.
Kampioni i Kosovës, Liqeni, të premten mbylli garën në Ligën e Kampionëve në vendin e fundit në Grupin 6. Arriti një fitore dhe u mposht në dy ndeshje.
“E pamë edhe në çfarë niveli janë polakët, danezët dhe bjellorusët. Sa i përket shikueshmërisë në Kosovë, ajo po paraqitet vetëm në garat e plejofit. Ka rënie të futsallit sepse edhe klubet po tërhiqen prej garave”, vazhdoi tutje Keçi. Ai e pranon se ka pasur evoluim të futsallit nga koha kur ai luante. Por thotë se ka mungesë të lojtarëve teknikë.
“Tani luhet shumë më shpejtë dhe ka më shumë vrapime dhe zëvendësimet e lojtarëve janë më të shpeshta. Por, lojtarë teknikisht të mirë ka më pak. Kur kemi luajtur ne, teknika ka qenë më shumë e pranishme se që është tani”.
Me mungesën e tifozëve në palestra dhe me largimin e sponsorëve ekipet e kanë vështirë të mbijetojnë. Tani në palestra ka qindra e në raste dhjetëra shikues. Kur liga kishte nivelin më të lartë, mesatarja e shikuesve në derbi shkonte mbi 2000.
Liburni i Gjakovës është një prej skuadrave më të mëdha në Kosovë që është tërhequr nga garat së fundmi. Nuk ekzistojnë më as klube të suksesshme si Besa e Pejës apo Feniksi i Drenasit.
Mungojnë edhe derbit e denjë të qytetit. Prishtina 01 është në pjesën e sipërme të tabelës, ndërsa Mabetex Prishtina është në fund.
Mentor Mejzini është në futsall që kur u themelua liga në vitin 2008. Ai thekson se futbolli i vogël dhe futsalli duhet të kenë më shumë përkrahje nga Federata. Largimi i sponsorëve dhe atyre që investojnë në klube të futsallit ka ndikuar në rënie, thotë lojtari shumë i suksesshëm.
“Mungesa e ndeshjeve derbi është arsye e uljes së shikueshmërisë. Njerëzit dëshpërohen, sepse klubet nuk kanë motiv. Fiton titullin dhe nuk ka ndonjë shpërblim të denjë. Nuk e di pse është kështu, kur e dimë që futsalli në Kosovë mund të arrijë shumë”, ka thënë Mejzini.
Ai i vë fajin edhe gjykimeve jo të drejta në ndeshje vendimtare.
“Klubet investojnë, ndërsa ka njerëz që ua humbin mundin me qëllim. Te ne janë bërë shumë faktorë disa njerëz që nuk e njohin futsallin aspak. Dhe është normale që të humb interesimi. Një klub investon shumë dhe kur vjen fundi shihen skena kur titullin e vendos gjyqtari. Pikërisht kjo ka ndodhur vitin e fundit dhe nuk merr masa askush. Për këtë humb interesimi pasi lojtarë dhe lojëra të bukura ka akoma”, vazhdon Mejzini 38-vjeçar, i cili është pjesë e Vjosës, ku e luan edhe rolin e trajnerit.
Mejzini ka luajtur edhe në futboll të madh. Ishte pjesë e Feronikelit, pak para krijimit të ligës së futsallit.
“Futsalli më ka impresionuar dhe për këtë arsye vendosa të vazhdoj me futsall e futboll të vogël. Prej atëherë nuk jam ndarë asnjëherë”.
Në futsallin e Kosovës lojtarët aktualisht nuk paguhen me rroga të majme siç ndodh në futboll të madh. Lojtarët e futsallit paguhen vetëm sa ka kampionat, eventualisht për fazën përgatitore. Prej ish-lojtarëve të futsallit që kanë fituar çdo gjë të mundshme në Kosovë, pranohet se me fond prej 50 mijë eurove në edicion ekipi është kandidat për titull kampioni.
Aktualisht vetëm Liqeni mund t’i afrohet një shume të tillë. Liqeni vitin e kaluar dominoi në futsallin e Kosovës, por me ndihmën e të huajve në ekip.
Në të kaluarën shumë lojtarë vendorë janë zbuluar në turne të futbollit të vogël.
Mbi 50 turne janë organizuar në qytete të mëdha të vendit. Ramadan Alaj njihet si lojtar që është zbuluar në ata turne. Nga viti 2008 u inkuadrua në futsall.
Alaj për kohë të gjatë ishte te Liburni i Gjakovës, ndërsa tani luan te Prishtina 01.
Ai thotë se interesimi i të rinjve është i dyanshëm. E pranon se futbolli i madh u jep më shumë mundësi. Por thotë se ndeshje të forta ka ende në futsall.
“Fatkeqësia e madhe është që disa nga klubet më të mira janë shuar për problemet tashmë të njohura. Rasti i fundit është me Liburnin, por shpresoj që komisioni i futsallit dhe referimi të japin maksimumin që vijueshmëria e garave të jetë më e organizuar, në mënyrë që të mos kemi probleme të tilla e të humbim klube me traditë në vendin tonë”, thotë Alaj.
Rinor Hoti aktualisht është golashënuesi më i mirë në Superligën e futsallit. Ka 13 gola të shënuara. Ai iu bashkua së fundmi futbollit në sallë. Kishte luajtur në futboll të madh te Fushë Kosova, Drenasi e Rilindja 1974.
“Arsyeja që e kam lënë futbollin e madh është minutazha e vogël dhe nuk kam qenë i kënaqur me pagesë. Tani jam në futsall te klubi i Malishevës. Fillimi ka qenë pak i vështirë, por jam në formë. Jam përshtatur në mënyrën më të mirë në futsall”, ka thënë 21-vjeçari nga Malisheva. “Deri në fund do të mbetem në futboll të vogël. Nuk e mendoj rikthimin në futbollin e madh”, theksoi ai.
Në nivel klubesh, Feniksi i Drenasit ka suksesin më të madh në skenën ndërkombëtare. Në vitin 2016 u rendit në vendin e 13-të. Në përbërje kishte tetë lojtarë vendorë.