Herët kishin nisur zërat se Arbëria e Dobrajës do të jetë skuadra e dytë që do të bjerë nga elita e futbollit të Kosovës. Largimi i paralajmëruar nga Superliga u “konfirmua” të dielën në Gjilan për skuadrën e Arbërisë.
Arbëria humbi ndeshjen vendimtare për ta siguruar të paktën vendin e tetë, që dërgon në barazh. Skuadra lipjanase humbi nga Drita me rezultatin 2:0. Dritës po ashtu i duhej fitorja për të siguruar vendin e dytë, që ia siguron paraqitjen në Ligën e Konferencës.
Te Arbëria nuk kanë dashur të flasin. Nuk ka folur trajneri Arbnor Morina, lojtarët e as nga stafi drejtues. Thanë se janë keq emocionalisht pas rënies. Nuk kanë folur në fakt as pas ndeshjes në Gjilan, ndryshe nga herët e tjera që edhe përkundër humbjeve, kanë dalë para mediave për të shprehur mendimin e tyre.
Shumë kohë më parë në opinion kanë rrjedhur fjalë se bashkë me Besën e Pejës në Ligën e Parë do të bjerë edhe Arbëria. Fjalët i ka dëgjuar edhe vetë trajneri Morina që pati thënë se i vjen keq që është paragjykuar klubi të cilin e udhëhoqi deri në fund të sezonit që përfundoi të dielën.
“I kemi dëgjuar fjalët se Besa duhet të bjerë nga liga, sepse luan me fëmijë dhe Arbëria duhet të bjerë, sepse është klub i katundit. Por, futbolli është vlerë universale dhe luajnë të gjithë, mua si sportist më vjen keq për këto gjykime. Ata po e gjykojnë një klub që ka bërë më të mirën e mundshme, ka bërë histori duke hyrë në Superligë. Me kapacitetet që ka, pa stadium, pa fushë, por me një organizim të mirë dhe lojtarë cilësorë, këtë nuk e meritojmë”, pati thënë Morina.
Skuadra e Arbërisë u vlerësua sensacioni i sezonit vjeshtor të Superligës në futboll. Për shumë arsye cilësohej si i tillë, pasi në debutim arriti ta mbyllë sezonin vjeshtor në vendin e gjashtë me 21 pikë nga po aq ndeshje të zhvilluara. Asnjë prej pikëve, Arbëria nuk i mori në fushën e vet. Ndeshjet si vendase i zhvilloi në stadiume të ndryshme. Stadiumi në Lipjan nuk i plotësoi kriteret e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Në fakt, deri në fund, Arbëria luajti si vendase në pesë fusha të klubeve të ndryshme, atë të KEK-ut (Obiliq), Flamurtarit (Prishtinë), fushën me bari sintetik në Ferizaj, fushën e Llapit (Podujevë) dhe në fushën me bari sintetik në Gjilan.
Rënia konfirmoi telashet e shumta që pati skuadra nga Dobraja e Madhe.
Për Arbërinë ishte hera e parë që ishte pjesë në garat elitare të Kosovës. Arbëria përfundoi e nënta me 40 pikë, dy më pak se Trepça ’89 që do të luajë në barazh ndaj Dukagjinit për një vend në Superligë, ndërsa 42 pikë patën edhe Feronikeli dhe Drenica.