Tri herë kampioni i Kosovës në futboll, Feronikeli, po kalon momentet më të vështira që nga inkuadrimi në Superligë, para gati një dekade.
Feronikeli mbeti i fundit në stinorin vjeshtor dhe në pranverë do të paraqitet me juniorë. Kjo bën që Feronikeli ta ketë thuajse të pamundur mbijetesën në elitën e futbollit kosovar.
Feronikeli mund ta ndjekë rrugën e disa klubeve të tjera kosovare që e kanë fituar titullin e kampionit dhe më pas kishin rënie të madhe.
Skuadra kampione që kanë rënë në Ligën e Parë asnjëherë më nuk kanë arritur të këndellen plotësisht dhe ta fitojnë titullin.
Besa e Pejës garon në Ligën e Parë dhe po lufton për mbetje edhe në këtë kategori garash. Besa kishte fituar tre tituj kampioni rresht (2004, 2005, 2006). Por nga rënia për herë të parë në Ligën e Parë në vitin 2018, pejanët nuk kanë arritur të këndellen më pavarësisht kthimit në elitë për një edicion (2020/2021).
Trepça ishte kampione e Kosovës në vitin 2010. Sot bën gara në Ligën e Parë. Kishte arritur të rikthehet në Superligë, por nuk qëndroi gjatë.
Njëjtë i ka ndodhur edhe Vushtrrisë (ish-Llamkos Kosova), skuadër që u bë kampione në vitin 2014. Edhe vushtrriasit garojnë në Ligën e Parë.
Kampione e Kosovës ishte edhe Trepça ’89, në vitin 2017. “Minatorët” këtë edicion po garojnë në Ligën e Parë, me gjasa reale për t’u kthyer në Superligë.
Edhe Liria e Prizrenit, që e ka fituar titullin në vitin 1995, qe disa vjet bën gara në Ligën e Parë.
Trajneri Gani Sejdiu, i cili e ka fituar titullin me Trepçën në vitin 2010 dhe me Feronikelin në vitin 2015, përmend disa faktorë që ndikojnë që ekipet të mos arrijnë të këndellen.
“Është e vërtetë se ekipet me nam që më parë kanë qanë edhe kampionë, por edhe top-ekipe, pas rënies nga Superliga vështirë këndellen. Disa nuk e kanë arritur këndelljen fare. Këtu përjashtim bën vetëm Trepça ’89, e cila në vitin 2009 kishte rënë nga Superliga, por menjëherë është kthyer. Edhe tani është në rrugë të mirë që të kthehet. Janë disa faktorë që ekipet kampione që kanë rënë në Ligën e Parë nuk kanë arritur të këndellen. I pari është zhgënjimi i madh i cili nuk menaxhohet menjëherë dhe në mënyrë të duhur dhe lë pasoja. Pastaj bie motivi, shumë lojtarë kualitativë largohen, sepse nuk duan të luajnë në nivel më të ulët. Këtu ekipet dobësohen shumë, pra nuk mund ta ruajnë kontingjentin e lojtarëve të cilët kanë kualitetin të rikthehen menjëherë”, u shpreh Sejdiu.
Ai tregon se si duhet të veproi një klub nëse dëshiron që pas një viti të kthehet në Superligë.
“Në disa klube largohen edhe donatorët kryesorë për shkak të dështimit dhe pastaj klubet nuk kanë fuqinë financiare për t’u rikthyer. Me kalimin e kohës humb mundësia dhe ambicia për t’u rikthyer. Klubet që bien nga Superliga duhet që menjëherë ta ruajnë ekipin, të përforcohen, të ruajnë stabilitetin financiar dhe të tentojnë me të gjitha forcat të rikthehen menjëherë, përndryshe do ta kenë të vështirë”, deklaroi Sejdiu.
Trajneri Sami Sermaxhaj mendon se definimi i statusit të klubeve ndikon direkt.
Sipas tij, klubet duhet të kenë pronar afatgjatë për të evituar telashet.
“Mendoj që definimi i statusit të klubit, më konkretisht definimi i pronësisë së klubit është një nga arsyet kryesore. Nëse një klub ka një pronar që e ka në pronësi klubin për një kohëzgjatje 20-30-vjeçare, atëherë pronari mund të bëjë një projekt zhvillimi dhe funksionimi stabil. Klubet që kanë pronar të definuar si Drita, Gjilani, Ballkani, Prishtina, Llapi po dëshmojnë me shumë stabilitet, kurse klubet me nam që nuk kanë pronar të definuar si Vëllaznimi e Liria nuk mund të ndërtojnë projekt zhvillimor funksional”, tha Sermaxhaj.
Nga skuadrat që kanë fituar titull kampioni, vetëm Prishtina nuk ka rënë asnjëherë nga Superliga. Prishtina është klubi më i suksesshëm me 11 tituj. Nga tre tituj kampioni i kanë Besa, Drita dhe Feronikeli.