Mitrovica, Peja, Prizreni, Gjakova dhe Ferizaj janë pesë prej qyteteve të mëdha të vendit që nuk kanë ekipe në Superligën e Kosovës në futboll. “Harta” e futbollit kosovar ka ndryshuar goxha shumë për shkak të investimeve më të mëdha nëpër qendra më të vogla. FFK-ja është e ndarë në shtatë lidhje rajonale të futbollit. Pesë prej lidhjeve rajonale janë me seli në Pejë, Mitrovicë, Prizren, Gjakovë e Ferizaj. Këto qytete përfaqësohen me skuadra vetëm në nivelin e dytë
Mitrovica mburret që i ka dy stadiume të futbollit. Dy klubet e këtij qyteti po ashtu mburren me historinë dhe suksesin që kanë pasur. Mitrovica vlerësohet qytet i futbollit, ndonëse gjendja aktuale e klubeve të qytetit nuk përshtatet me këtë.
Në “Riza Lushta” dhe “Adem Jashari” për një vit nuk do të luhen ndeshje të elitës së futbollit kosovar. Trepçës – që assesi nuk po ia del të kthehet në elitë, ku tifozët e saj vlerësojnë se e ka vendin – në Ligën e Parë të Kosovës do t’i bashkohet Trepça ’89.
89-shi në vitet e fundit e kishte primatin në qytet sa i takon futbollit. Por, të premten nuk ia doli ta fitojë ndeshjen e barazhit. Dhe nga Superliga kaloi në Ligën e Parë.
Trepça ’89 vlerësohet prej klubeve më stabile në futbollin kosovar. Është e njohur, ndër të tjerash, për nxjerrjen e shumë lojtarëve. Lojtarë të rritur në shkollën e futbollit të 89-shit defilojnë në shumë skuadra të vendit, ndërsa kanë depërtuar edhe në klube të huaja.
Të dielën është bërë e ditur se tre lojtarë juniorë të 89-shit janë ftuar në Përfaqësuesen U-19 të Kosovës. Shkolla e klubit mitrovicas vazhdon të funksionojë mirë, me qindra fëmijë që ushtrojnë në fushën ndihmëse buzë lumit Ibër. Por, për skuadrën e parë gjërat nuk ecën mbarë viteve të fundit.
Pasi fitoi titullin e parë në edicionin 2016/17 dhe shkroi histori duke përfaqësuar Kosovën për herë të parë në kupa evropiane, Trepça ’89 ishte në rënie të vazhdueshme. Në edicionin pasues u rendit në vend të katërt. Në edicionin 2018/19 mbeti në elitë falë ndeshjes së barazhit, ndërsa vjet shpëtoi falë një fitoreje shumë të përfolur ndaj Prishtinës në xhiron e fundit. Sivjet u rendit e teta dhe për të mbetur në Superligë i duhej ta fitonte ndeshjen ndaj Dukagjinit të Klinës. Këtë nuk e arriti – Dukagjini fitoi me penallti.
Nuk është fshehtësi se drejtuesit e klubit janë në një “betejë” me drejtuesit aktualë të Federatës së Futbollit të Kosovës. Më parë, 89-shi ishte në një lloj koalicioni me klube të tjera të elitës, por në muajt e fundit duket se ka mbetur i vetëm. Trepça ’89 ka fajësuar direkt FFK-në për rënie nga elita, ndërsa njohës të futbollit thonë se asaj i munguan edhe aleancat me klubet e tjera, që shpesh janë vendimtare në kampionatin e Kosovës në futboll.
“Paturpësia e strukturave të FFK-së shkeli mbi djersën e lojtarëve të Trepçës ’89. Sot, sikur edhe disa herë më parë, ishim të dëmtuar në dy situata. Arbitrit me stemë të FIFA-s duhet t’i vijë turp, por ai ka ardhur me direktiva nga kreu i FFK-së. E çka presim mirë kur kreu i FFK-së është i akuzuar për haraçe”, thuhet në një komunikatë të 89-shit.
Klubi mitrovicas shkon tutje duke vlerësuar se i gjithë kampionati ishte i kurdisur. Ka paralajmëruar edhe ankesë në UEFA “për parregullsinë e kampionatit dhe lidhjen e koalicioneve joparimore në dëm të futbollit kosovar”.
As Trepça ’89 nuk përjashtohet nga dyshimet për kurdisje të rezultateve në futbollin kosovar. Por, ka mbetur jashtë elitës.
Në elitë janë skuadra të qendrave dukshëm më të vogla dhe me histori dukshëm më të shkurtër në futbollin kosovar. Dallimin aktualisht po e bëjnë investimet, por edhe raportet me skuadrat e tjera.
Në të vërtetë, rënia e 89-shit ka lënë edhe një qytet me traditë jashtë Superligës. Tashmë pesë prej shtatë qendrave të mëdha, sipas ndarjes gjeografike që e bën vetë FFK-ja, janë pa skuadra në Superligë.
“Anëtarët e FFK-së janë shtatë lidhjet rajonale të futbollit: e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës, Prizrenit, Gjakovës, Gjilanit e Ferizajt”, shkruan në Statutin e FFK-së.
Ndarjen FFK-ja e ka bërë në bazë të madhësive të qyteteve, por edhe peshës së tyre në futboll. Aktualisht vetëm Prishtina e Gjilani si qytete kanë ekipe në Superligë. Kryeqyteti e ka Prishtinën, që fitoi titullin e kampionit. Ndërsa Gjilani ka nënkampionen Dritën, si dhe Gjilanin.
Trepça dhe Trepça ’89 të Mitrovicës, Besa e Pejës, Vëllaznimi i Gjakovës, Liria dhe A&N të Prizrenit e Ferizaj do të luajnë edicionin e ardhshëm në Ligën e Parë. Pos 89-shit, nga elita është larguar edhe Besa e Pejës, njëjtë sikur Arbëria e Dobrajës së Lipjanit.
Në Superligë janë edhe Ballkani i Suharekës, Llapi i Podujevës, Drenica e Skenderajt, Feronikeli i Drenasit, Malisheva, Ulpiana e Lipjanit dhe Dukagjini i Klinës.
Vushtrria është një tjetër qendër që jep shumë futbollistë dhe që po kalon krizë të rëndë. Vushtrria, që ishte kampione në vitin 2014, ka rënë në kategorinë e tretë të futbollit kosovar.
“Distancimi” i Superligës me qendrat e mëdha bën që një pjesë e klubeve të mos jenë në gjendje t’i luajnë ndeshjet në stadiumet e tyre. Disa prej stadiumeve të klubeve të Superligës nuk i plotësojnë kriteret për zhvillim të ndeshjeve të Superligës. Mbetet të shihet se si do ta rregullojë këtë FFK-ja.