Sport

Rekordi i Ramadanit - 7 trofe për tre vjet e gjysmë

Erdhi me synim të qartë - ta rikthejë titullin e kampionit në kryeqytet pas tetë vjetësh. Këtë edhe e arriti të dielën e kaluar, duke e udhëhequr Prishtinën drejt titullit të kampionit të Superligës për edicionin 2020/2021.

Bëhet fjalë për trajnerin nga Maqedonia e Veriut, Zekirija Ramadani, i cili pohon për KOHËN se po të mos besonte në sukses nuk do ta pranonte pozitën e trajnerit te Prishtina.

“Që në takimin e parë, pyetja kryesore ka qenë a i beson këtij ekipi dhe a mund të dalim kampion me këtë ekip. Kështu që unë e njihja çdo futbollist që është te Prishtina, përforcimet e reja, i njihja edhe kundërshtarët dhe pranova me besimin më të madh”, tha Ramadani.

Shkupjani ka hyrë në histori të futbollit kosovar, duke u bërë trajneri i parë që arrin tre tituj me tri klube të ndryshme. Tituj kampioni kishte fituar edhe me Trepçën ’89 në vitin 2017 dhe Feronikelin më 2019, kurse në total ka shtatë trofe në futbollin kosovar për tre vjet e gjysmë.

“Patjetër që ndihem shumë krenar me punën që kemi bërë, me suksesin personal. Por suksesin tim personal e kam gjithmonë në plan të dytë. Puna e parë është obligimi dhe objektivat e klubit ku punoi. Sukseset individuale sigurisht të motivojnë që të punosh”, ka shtuar Ramadani.

Ai e pranon se trofeu i fituar me Prishtinën është më i veçantë. Zbulon se si ia dolën të rikthehen edhe pse ishin 14 pikë larg vendit të parë në një fazë të kampionatit.

“Me punë, me sakrificë, me shumë mund ia kemi dalë. Që nga ndeshja kundër Drenicës, që ishte humbja e tretë rresht dhe e katërta në përgjithësi, disi neve na lanë anash rivalët tanë dhe menduan që ne nuk jemi më në objektivin e vitit. Kështu, ne nga plani i dytë jemi futur dhe kur ishte momenti më i duhur ne dolëm lider dhe fituam titullin”, deklaroi 43-vjeçari.

I pari i shtabit teknik të “bardhekaltërve” tregon edhe se si kryesia e klubit nuk kishte pranuar dorëheqjen e tij pas humbjes nga Drenica, në stinorin vjeshtor.

“Ishte si veprim moral nga ana ime pas atyre rezultateve negative. Por tani ndoshta e shohim që ka qenë veprim i mirë i drejtuesve të klubit tonë, të cilët as nuk deshën që të takohen fare dhe vetëm më dhanë sinjalin se duhet të vazhdojmë me punë, kanë besim të madh tek unë, te bashkëpunëtorët e mi, por edhe te futbollistët dhe Zoti i shpërbleu ashtu siç duhet më së miri”.

Ramadani ka marrë mesazhe të shumta për suksesin që ka arritur, por për befasinë më të madhe ishte përkujdesur familja e tij në Shkup.

“Kam marrë shumë mesazhe. Gjithçka ka kënaqësinë e vet dhe janë të veçantë në mënyrën e vet. Do ta veçoja tortën që ma kishin përgatitur fëmijët e mi me foton kampion me Prishtinën. Ajo ishte befasi që nuk e prita në Shkup”, tregon Ramadani.

Ai thotë se do të përgatiten maksimalisht që të përfaqësojnë Kosovën sa më mirë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Flet edhe për përforcime ku nuk do sasi, por cilësi.

“Ndonjë futbollist që do të bënte diferencën. Vetëm futbollistë që kanë treguar veten, që janë të dëshmuar, që kanë bagazh, ata do jenë në plan të parë. Sa u përket numrave, nuk kemi nevojë, por kemi nevojë për një konkurrencë të shëndoshë”, shtoi Ramadani.

Ai tregon se kush janë personat që e sollën për herë të parë në Kosovë dhe vazhdojnë të jenë mbështetës të mëdhenj.

“U jam falënderues Trepçës ’89 dhe drejtuesve të klubit, por i falënderoj edhe shokët e mi, Shkumbin Qormemetin dhe Haris Fakiq, të cilët kanë investuar tek unë dhe ata kanë qenë lidhshmëria ime e parë me Trepçën ’89. Mundohem që fjalët e tyre t’i çoj në vend. Ata gjithmonë flasin në superlativ për mua”, përfundoi Ramadani.

Zekirija Ramadani, përveç tre titujve të kampionit, ka fituar edhe tri Superkupa, me Prishtinën, Trepçën ’89 dhe Feronikelin. Me Feronikelin e ka fituar edhe Kupën e Kosovës. Është trajneri i parë që nuk është i Kosovës që ka fituar titull në Superligë dhe më i suksesshmi pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Më herët e ka drejtuar Flamurtarin e Vlorës për gjashtë muaj dhe Shkupin për disa vjet. Ka qenë i dalluar edhe si lojtar, kurse ka pasur edhe gjashtë paraqitje me Maqedoninë e Veriut.