Sport

Reja lë derën e hapur për Kamberin, që e refuzoi ftesën për miqësoret e qershorit

Florian Kamberit i kishte mbetur hatri që përzgjedhësi i Përfaqësueses së Shqipërisë, Edy Reja, nuk e kishte aktivizuar në dy ndeshjet e muajit mars, kundër Andorrës e Anglisë. Këto ishin dy duelet e para të Shqipërisë në kuadër të kualifikimeve për kampionatin botëror “Katari 2022”.

Shqipëria triumfoi në udhëtim ndaj Andorrës (1:0), kurse u mposht në shtëpi nga Anglia (2:0), takime këto që Kamberi i kishte përcjellë nga banka e rezervistëve. Kjo kishte bërë që sulmuesi i Aberdeenit të nevrikosej dhe të largohej në prag të ndeshjes së tretë, atë kundër San Marinos që Shqipëria e fitoi në udhëtim. Përzgjedhësi i Shqipërisë, Reja tha se Kamberi ishte i lënduar.

E kur Reja publikoi listën e lojtarëve të mërkurën për ndeshjet e muajit qershor, sërish mungoi Kamberi. Mirëpo, këtë herë Kamberi nuk ishte i lënduar dhe këtë e pranoi përzgjedhësi Reja që zbuloi se sulmuesi nuk i është përgjigjur ftesës pavarësisht se ishte ftuar për dy miqësoret e radhës. Shqipëria në muajin qershor do t’i zhvillojë dy miqësore, me Uellsin dhe Çekinë. Reja në konferencën për shtyp ka pranuar se i kishte dërguar ftesë Kamberit, por që 26-vjeçari nuk i është përgjigjur. Me gjithë këtë veprim të Kamberit, Reja insistoi se ai e ka derën të hapur te Shqipëria.

“Sa i përket çështjes me Kamberin, kemi folur me përfaqësuesit e tij. Nuk kemi marrë një përgjigje nga ai. Si duket nuk është entuziast. Ne do ta ndjekim në vazhdimësi, nuk mund të themi se është mbyllur këtu”, tha Reja të mërkurën, kur edhe Shqipëria nisi grumbullimin për duelet e qershorit.

Kamberi në pjesën e parë të edicionit 2020/21 ishte pjesë e St. Gallenit dhe në tetë paraqitje në kampionatin zviceran nuk shënoi asnjë gol. Në fillim të këtij viti, ai u huazua tek Aberdeeni në Skoci dhe nuk realizoi gol në gjashtë ndeshje. Shqipëria, dy miqësoret do t’i luajë në udhëtim. Më 5 qershor kundër Uellsit, kurse tri ditë më vonë do të përballet me Çekinë. Përzgjedhësi Reja në listë për këto dy ndeshje ka ftuar 25 futbollistë. Ai ka thënë se kjo listë mund të pësojë ndryshime më vonë, pasi pritet të ftojë edhe disa lojtarë të kampionatit shqiptar. Në listën e publikuar të mërkurën vërehet mungesa e portierit të Lazios, Thomas Strakosha, ndërsa janë rikthyer Bekim Balaj, Endri Çekiqi e Lorenc Trashi.

“Për mua nuk janë thjesht dy ndeshje miqësore, por janë ndeshje të rëndësishme për atë që ne presim. Janë ndeshje të rëndësishme dhe besoj se lojtarët janë të motivuar”, ka thënë Reja.

Reja ka folur edhe për çështjen e Nedim Bajramit, duke shtuar se është optimist se ai së shpejti do të lejohet të luajë për Shqipërinë. Grumbullimi i Shqipërisë ka nisur po të mërkurën në Durrës, ku do të qëndrojë deri më 1 qershor, përpara se të niset drejt Uellsit.

Lista e Shqipërisë për miqësoret e qershorit

Portierë: Etrit Berisha, Alen Sherri, Gentian Selmani, Romeo Harizaj.

Mbrojtës: Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Frederic Veseli, Albi Doka, Arlind Ajeti, Lorenc Trashi.

Mesfushorë: Amir Abrashi, Ermir Lenjani, Odeise Roshi, Keidi Bare, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Sherif Kallaku, Endri Çekiqi.

Sulmues: Sokol Cikalleshi, Armando Broja, Taulant Seferi, Rey Manaj, Bekim Balaj