Sport

Refugjatëve ukrainas iu ofrohen 100 bileta për ndeshjen e plejofit

Refugjatëve nga Ukraina do t'u jepen 100 bileta për finalen e plejofit për kualifikim në Kampionatin Botëror “Katari 2002” mes Uellsit dhe Ukrainës, që luhet të dielën në Cardiff.

Federata e Futbollit të Uellsit (FAW) dhe qeveria e Uellsit konfirmuan se 100 prej atyre që kanë ikur nga lufta do t'u jepet një shans për të parë ndeshjen nga stadiumi. Kjo vjen pasi ukrainasit që jetonin në Uells përpara konfliktit i kërkuan federatës uellsiane që t'u jepte bileta atyre që ishin zhvendosur nga pushtimi rus.

Biletat për ndeshjen që do të luhet mes Uellsit dhe Ukrainës në “Cardiff City Stadium” tashmë janë shitur. I ftuar për këtë përballje është edhe ambasadori ukrainas, ndërsa Përfaqësuesja e Ukrainës do të pritet me një mesazh të ngrohtë kur të mbërrijë në aeroportin e Cardiff.

Ministri i Parë i Uellsit, Mark Drakeford tha: “Unë do të doja të bëja një mirëseardhje të ngrohtë të Uellsit për ekipin ukrainas të futbollit dhe mbështetësit e tyre që vijnë në Cardiff. Kjo do të jetë një mundësi për ne që të riafirmojmë mbështetjen tonë për Ukrainën, ndërsa ajo lufton aktin e paprovokuar dhe brutal të luftës së Rusisë. Jam i sigurt se ndeshja do të jetë një ndeshje shumë e fortë mes dy skuadrave të afta dhe pasiononte pasi ka një çmim të madh që duhet fituar”.

Ukraina u kualifikua në finalen e plejofit të mërkurën duke mundur Skocinë 3:1 në Glasgow dhe tani përballet me Uellsin për një vend në Kupën e Botës që nis në nëntor të këtij viti në në Katar.

Uellsi shpreson të kualifikohet në këtë turne për herë të parë që nga viti 1958, ndërsa Ukraina u kualifikua për Kupën e Botës të parë dhe të vetme në vitin 2006.