Sport

Reali barazon, gjyqtari mbyll ndeshjen gjatë aksionit që përfundoi me gol

Në mënyrë të pazakontë është mbyllur ndeshja mes Valencias dhe Real Madridit në xhiron e 27-të të La LIgas. Gjyqtari kryesor Jesús Gil Manzano e përfundoi ndeshjen në kohën kur Reali po zhvillonte aksionin e fundit në zonën e Valencias. Pak sekonda pasi ai vërshëlleu për fundin e ndeshjes Jude Bellingham realizoi gol me kokë.

Goli s’u pranua pasi ndeshja ishte mbyllur, duke nxitur tensione në fushë. Rezultati final mbeti 2:2.

Valencia nisi shumë më mirë ndeshjen. Hugo Duro dhe Roman Yaremchuk shënuan për Valencian në minutat 27 dhe 30. Reali u këndell në fund të pjesës së parë përmes Vinicius Juniorit që e ngushtoi rezultatin. Ishte sërish braziliani që realizoi në minutën e 76-të për të barazuar gjithçka.

Pas këtij barazimi, Reali arrin në kuotën e 66 pikëve dhe mbetet lider me shtatë pikë para ndjekëses Girona.

Valencia është e nënta me 37 pikë.