Nuk ka pasur ndonjë masë apo veprim konkret të premten pas akuzave të rënda që erdhën të enjten nga Franca lidhur me kurdisjet në futbollin kosovar. Kanë reaguar të gjitha palët e përfshira në fakt. Disa kanë reaguar duke u mbrojtur, disa duke shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar e disa duke paralajmëruar hetime të mëtejme. Por, kjo formë e reagimit, me deklarata, është e zakonshme. Ndodh gjithnjë pasi shfaqen akuza e dyshime për kurdisje në futbollin kosovar.
Ato që këtë herë ishin të jashtëzakonshme, ishin akuzat e bëra. Ato erdhën nga Franca, ndërsa si klub i përfshirë është përmendur Llapi i Podujevës. Gazeta prestigjioze franceze, “Le Parisien”, përmendi Llapin si klub të përfshirë në manipulim rezultatesh. Një ndeshje e Llapit ndaj Feronikelit, klubit tashmë të shuar, dyshohet të jetë njëra prej katër të kurdisurave.
Akuzat nuk janë të mediave franceze. Janë të një institucioni hetimor, Juridiksionit të Specializuar të Nancyt. Ky institucion njoftoi se katër ndeshje të kampionatit kosovar janë kurdisur në shërbim të bastoreve në Francë e Kosovë. Në Kosovë bastoret funksionojnë ilegalisht, por kjo thuajse dihet nga të gjithë.
Shërbimi Qendror i Garave dhe Lojërave në Francë ka hetuar për gati një vit për dyshimet që lidhen me klubin kosovar. Kurdisjet madje janë vlerësuar të konfirmuara, si rezultat i analizimit të koeficienteve dhe videoincizimeve të disa ndeshjeve.
Përfitimi i pretenduar nga kurdisjet, sipas autoriteteve franceze, është 360 mijë euro. Nëntë persona është raportuar se janë arrestuar, ndërsa ndaj katër prej tyre ka akuza për mashtrim.
“Le Parisien” ka shkruar se rrjeti i të përfshirëve është i madh, ndërsa pjesë e tij janë edhe drejtues të Llapit dhe lojtarë të kësaj skuadre.
Te Llapi reaguan në orët e para të së premtes.
“Si klub nuk kemi as edhe më të voglin shqetësim rreth këtyre pretendimeve të pabaza dhe tendencioze dhe ftojmë tifozët që të mos shqetësohen, sepse nuk ka asgjë të vërtetë në këtë drejtim”, shkruan në një komunikatë të Llapit.
Ndërkohë FFK-ja ka shkruar se ka marrë masat e nevojshme për ta hulumtuar rastin dhe për ta adresuar atë në mënyrë urgjente tek organet kompetente.
“FFK-ja është plotësisht e gatshme të bashkëpunojë me çdo autoritete të Republikës së Kosovës dhe me ato ndërkombëtare, në mënyrë që të ruhet integriteti i futbollit kosovar”, ka shkruar FFK-ja.
Ndërkohë Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjen Sportive ka njoftuar se Prokuroria e Shtetit, në mbështetje të policisë, është duke u marrë me trajtimin e çdo dyshimi të ngritur për kurdisje të ndeshjeve sportive, duke përfshirë edhe rastin e publikuar.
Por Këshilli ka thënë se nuk mund të japë informata shtesë.
UEFA ka thënë për KOHËN se nuk mund të komentojë akuzat, kurse Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka nisur t’i trajtojë raportimet për kurdisje.
Megjithatë, nuk është njoftuar për ndonjë të intervistuar apo edhe të arrestuar. Për ndonjë gjë që do të dallonte nga rastet e kaluara.
Ka shpresë, megjithatë, që kurdisjet këtë herë do të goditen, marrë për bazë që hetimet janë bërë në Francë. Ka dyshime që për ndeshjet e Superligës së Kosovës vihen baste edhe në shumë vende të tjera. Në Kosovë, po se po.
Por, fakti që tashmë janë përfshirë autoritetet franceze mund të jetë pikë kthese në luftimin e dukurisë që e godet fort e vazhdueshëm futbollin kosovar.