Sport

Rashkajt i mbetet peng kualifikimi në “Euro 2020”

Anel Rashkaj ka thënë se rrugëtimi i tij me përfaqësuesen e Kosovës ka qenë historik. Por, ish-kapitenit të Kosovës i mbetet peng që nuk arriti të kualifikohet në “Euro 2020”. Ai thotë se një kualifikim në Evropian apo Botëror, do të jetë e vështirë për Kosovën. Rashkaj ditë më parë u tërhoq nga përfaqësuesja, ndërsa thotë se ishte koha e duhur. Ai pret që në një të ardhme para publikut kosovar ta luaj edhe ndeshjen e tij përshëndetëse.

“Duhet punë e madh për të arritur këtë qëllim, duke ditur procesin që nuk është i lehtë për t’u kualifikuar në Evropian dhe Botëror. E kemi pasur rastin më të mirë, por duhet të besojmë dhe të punojmë në atë drejtim për t’ia dalë. E pamë edhe Maqedonia e Veriut e fitoi edhe Gjermaninë në kualifikime dhe nëse punojmë mund t’ia dalim. Por, do të jetë e vështirë”, ka thënë Rashkaj. “Ka qenë koha e duhur për t’u tërhequr, duke marrë parasysh që nuk kam qenë tërë kohës aktiv. Disa herë kam qenë jashtë grumbullimit dhe kjo ka ndikuar në nivel të ligës apo klubit ku kam luajtur e sidomos tash ku jam pjesë e një klubi të Ligës së Dytë të Suedisë. Mendoj se ka qenë koha e duhur që të tërhiqem. Mendoj se ka qenë rrugëtim historik për mua dhe i veçantë”.

Ai insiston se nuk ka qenë i lehtë vendimi për t’u tërhequr nga Kosova. “Nuk ka qenë e lehtë, pasi gjithë ato vite dhe emocione që kam pasur me Kosovën, ato ndeshje, atmosfera në ‘Fadil Vokrri’. Ëndrra e një lojtari është ta përfaqësoj Kosovën, por çdo gjë e ka fillimin dhe fundin e vet dhe për mua ishte koha të tërhiqem. Kam biseduar me drejtuesit e Kosovë, mund të ndodhë në ndonjë kohë më të vonshme shkaku i pandemisë. Nuk kemi edhe tifoz në tribuna dhe dëshira e imja dhe e atyre ka qenë të luaj një ndeshje përshëndetëse ku do të ketë tifoz. Ka qenë një ëndërr e fëmijërisë dhe kam luajtur në kohën ku nuk kemi qenë të njohur dhe luanim në Evropë kundër klubeve. Kam qenë edhe në këtë periudhë kundër Anglisë, Çekisë e disa tjerave. Jam i lumtur që kam qenë pjesë e dy periudhave, atë në izolim dhe tash paraqitja kundër shteteve të mëdha”, ka theksuar Rashkaj.

Ai ka treguar edhe një moment të vitit 2011. “Në vitin 2011 kundër Xamaxit në konferencë e thash që një ditë shpresojmë të luajmë kundër Anglisë. Gazetari filloi të qesh, ndoshta i është dukur një ditë e largët dhe në fakt u bë realitet. Ka qenë rrugëtim historik për mua”, është shprehur ai.