Milot Rashica ka refuzuar të flasë të mërkurën për duelin ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, që zhvillohet në fundjavë. Kosova e Izraeli takohen të dielën në ndeshjen e kualifikimeve të Evropianit 2024. Ky ballafaqim është dashur të zhvillohej muajin e kaluar por është shtyrë për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.
“I gjithë fokusi ynë do të jetë për ndeshjen e së enjtes mbrëma. Është një situatë që lidhet me rregullat e FIFA-s, por kjo nuk është koha në të cilën duhet të flasim. Klubi është i njoftuar për këtë gjë dhe do të bëj deklaratën e nevojshme rreth çështjes”, ka thënë Rashica.
Ai foli në konferencë për shtyp të Beshiktashit. Sipas mediave në Turqi, Rashica e ka pranuar ftesën e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji. Beshiktashi do të ketë ndeshje kampionale në Superligën e Turqisë të dielën. Në shtëpi e pret Bashakshehirin, në kuadër të xhiros së 12-të të elitës së futbollit turk. Ndërkohë, Rashica të enjten mbrëma do të jetë i angazhuar për ndeshje evropiane. Ai ka thënë se është i fokusuar për ndeshjen që nga ora 18:45 Beshiktashi e luan me Bodo/Glimtin në kuadër të fazës grupore të Ligës së Konferencës.
“Kemi mbetur prapa në ligë dhe në Evropë. Jemi në vendin e fundit në grup dhe e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Nuk kemi asgjë për të humbur”, ka theksuar Rashica, ndërsa ka folur edhe për trajnerin Burak Yilmaz.
“Kemi marrëdhënie të mira që kur ai mori drejtimin e skuadrës. Ai gjithmonë tenton të më motivojë. Ai ka marrëdhënie të mirë edhe me gjithë lojtarët tjerë dhe mundohet të na përmirësojë secilin. Ai është trajner që jep gjithçka dhe punon fort. Ne nuk kemi mundur t’ia kthejmë me rezultatet që i kemi dashur, por duhet t’ia shpaguajmë punën që e ka bërë për ne me shumë përkushtim”, ka deklaruar Rashica. 27-vjeçari vlerësohet lojtar i rëndësishëm për Kosovën. Në 48 paraqitjet me “Dardanët” ka shënuar tetë gola. Në kualifikimet aktuale ka realizuar dy gola e tri asistime. Kosova ka humbur gjasat për kualifikim. Është e katërta me shtatë pikë. Rashica me Beshiktashin do ta ketë shumë të vështirë për ta kaluar Grupin D në Ligën e Konferencës. E ka vetëm një pikë në vendin e fundit, tri më pak se Bodo/Glimt dhe Lugano, dhe gjashtë më pak se Club Brugge. Beshiktashi në edicionin aktual ka pasur telashe edhe në elitën e futbollit të Turqisë. Me 19 pikë, aq sa ka edhe Kayserispori, është në pozitën e pestë. Galatasaray është i pari në tabelë me 31 pikë. Rashica me klubin turk ka shënuar dy gola dhe ka dhuruar një asistim në kampionatin e Turqisë.