Transferimi i verës te Beshiktashi, futbollisti i Kosovës, Milot Rashica, ka thënë se në mesin e shumë ofertave që kishte, skuadra që e donte më së shumti në skuadër ishte Beshiktashi.
Kjo edhe ka qenë arsyeja pse 27-vjeçari zgjodhi skuadrën e madhe turke.
Rashica në edicionin e kaluar pati paraqitje të mira me Galatasarayn, ekip te i cili ishte i huazuar nga Norwichi anglez.
Ai në të kaluarën karrierë ka bërë edhe te Werder Bremeni, Vitesse e Vushtrria në Kosovë.
“Është ndjenjë e shkëlqyer për mua të jem në gjendje të luajë në këtë stadium, ku kam luajtur me fanellën e ekipit rival, ndërsa tani jam me fanellën e Beshiktashit”, është shprehur Rashica të premten, shkruan mediumi “NTVSpor”.
Ai ka thënë se është i lumtur që është sërish pjesë e elitës së futbollit të Turqisë.
“Kam pasur edicion të mirë dhe kam kaluar mirë me të gjithë te Galatasaray. Kam dhënë më të mirën. Fituam kampionatin në fund por isha i huazuar. Kontrata ime skadoi. Jam futbollist profesionist. Kjo është puna dhe karriera ime. Gjithmonë duhet të mendojë për hapin e radhës. Në mesin e shumë ofertave që kam pranuar, klubi që më donte më së shumti dhe ku unë doja të luaja ishte Beshiktashi. Kemi pasur takime dhe arritëm marrëveshjen”, theksoi ai.
Rashica me fanellën e Beshiktashit në katër ndeshje në të gjitha garat ka një gol e një asistim. Golin e shënoi kundër Sivassporit, ndërsa asistimin kundër Dinamo Kievit në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Me Galatasarayn në Turqi në 30 ndeshje në Superligën dhe Kupën e Turqisë, realizoi gjashtë gola e shtatë asistime.
Tani synon suksese me Beshiktashin.
“Mbi të gjitha, dëshiroj që ekipi jonë të ketë edicion të mirë dhe ta fitojë kampionatin dhe Kupën në fund të rrugëtimit. Kam mentalitet fituesi në futboll dhe luftoj deri në përfundimin e ndeshjes. Për këtë, ekipi dhe tifozët duhet të jenë të bindur se pavarësisht situatës, do ta shohin Rashicën që nuk dorëzohet dhe lufton deri në vërshëllimën e fundit”, ka thënë ai.
Rashica ka treguar po ashtu se është shumë i lumtur që është pjesë e skuadrës së re. Ai ka shtuar se nuk ka pasur telashe me ambientim.
“Nuk kam pasur telashe me ambientim dhe të gjithë në skuadër më kanë pritur mirë. Nga momenti i parë që kam arritur, gjithçka ka shkuar mirë. Qendrat stërvitore, kushtet, stadiumi, tifozët... Të gjithë janë të mirë dhe jam shumë i lumtur që jam në Beshiktash. Është ndjenjë shumë e mirë që luajë me fanellën ‘bardhezi’”.
Rashicës i ka lënë përshtypje edhe zhurma që krijohet në stadium nga tifozët e skuadrës.
Rekordi i zhurmës është thyer nga tifozët e Beshiktashit.
“Ne do të luajmë futboll duke e ditur se kemi tifozët e Beshiktashit prapa nesh me atë zhurmën e madhe që krijojnë dhe kjo është ndjenjë e mirë”, ka deklaruar Rashica.
Rashica ishte pjesë e Kosovës në dy ndeshjet kualifikuese të shtatorit për Evropianin e vitit të ardhshëm.
E pati një asistim në duelin kundër Zvicrës, që përfundoi 2:2 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Sulmuesi i krahut në 48 paraqitje me fanellën e “Dardanëve” ka tetë gola të realizuar në total.