Sport

Ramsey nuk është kthyer te Nice, trajneri nuk ka informata për të

Mesfushori Aaron Ramsey ende nuk është kthyer në klubin e tij, Nice, pas eliminimit të Uellsit në fazën e grupeve të kupës së botës “Katari 2022”, muajin e shkuar.

Mungesën e Ramseyt e ka konfirmuar të martën trajneri i ekipit francez, Lucien Favre. Ramsey ishte pjesë e Uellsit në Botërorin e Katarit. Uellsi u paraqit për herë të parë në Botëror prej vitit 1958, por nuk arriti të avancojë përtej fazës së grupeve, me gjithë synimet e mëdha që i kishte. Në fakt, Uellsi në tri ndeshje të luajtura në grup nuk e regjistroi asnjë fitore, duke barazuar me SHBA-në dhe duke pësuar humbje nga Irani e Anglia.

Ramsey, 32-vjeçar, ishte njëri prej lojtarëve kyç në ekipin uellsian, së bashku me kapitenin Gareth Bale. Pas më shumë se një muaji pushim, ligat evropiane kanë vazhduar, me Ligue 1 që vazhdon të mërkurën me ndeshjet e xhiros së 16-të.

Megjithatë, Ramsey nuk është ribashkuar me ekipin në stërvitje dhe po ashtu nuk ka folur fare as me trajnerin Favre. Ky i fundit supozon që Ramsey ka mbetur tejet i zhgënjyer me eliminimin e hershëm në Kupën e Botës dhe kjo është arsye që është zhdukur dhe askush nuk ka informata për të. Madje, Favre nuk e di nëse Ramsey e ka mbajtur formën fizike dhe nuk e ka idenë se kur uellsiani do t’i bashkohet ekipit për pjesën e mbetur të këtij edicioni. Ramsey këtë vit iu bashkua Nicet si lojtar i lirë, pasi shkëputi kontratën me Juventusin.

“Jo, Ramsey ende nuk është kthyer në klub edhe pse u largua një javë para fillimit të Botërorit. Mendoj se eliminimi në fazën e grupeve ka ndikuar negativisht tek ai. Do të shohim më vonë se si do të rrjedhin gjërat”, është shprehur Favre. “Po ashtu, as nuk kam biseduar me Ramseyn. Ndoshta kam mundur të bisedoj dhe ta pyes por nuk kam informata më shumë. Ai ishte shumë i zhgënjyer dhe ka marrë më shumë kohë se zakonisht për ta marrë veten nga kjo. Kjo është e gjitha për Ramseyn, i cili nuk e di se kur do të kthehet”.

Ramsey nuk ka qenë stabil në përbërjen e parë të Nicet prejse iu bashkua klubit francez. Prej 12 ndeshjeve të luajtura, vetëm në pesë ka qenë titullar. Ai ka munguar në tri ndeshje kampionale, ndërsa në total ka kontribuar me një gol dhe një asistim. Ramsey ka kontratë me ekipin francez deri në fund të këtij edicioni dhe mbetet të shihet nëse do të jetë pjesë e Nicet edhe kampionatin e ardhshëm.

Ai nuk pati sukses as me fanellën e Juventusit, ekip të cilit iu bashkua në vitin 2019 si lojtar i lirë përpara se t’i shkëputej kontrata para kohe. Mesfushori ka luajtur edhe në ishull, për Arsenalin, Cardiffin e Nottingham Forestin.

“Jemi të fokusuar në rifillimin e kampionatit dhe ka kohë të flasim për Ramseyn. Mendoj se jemi përgatitur mirë dhe kemi ekip më të mirë dhe më të fortë për pjesën e dytë”, është shprehur Favre.

Skuadra Nice luan të enjten në shtëpi kundër Lensit. Këtë edicion, Nice nuk ka pasur rezultate të mira dhe aktualisht renditet në pozitën e nëntë në tabelë me 20 pikë të grumbulluara.