Sport

Ramadanin e gëzon këndellja e Prishtinës, thotë se mund të bëhet edhe më shumë

Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, të dielën e shënoi fitoren e dytë këtë edicion në Superligë. Triumfi në udhëtim ndaj Feronikelit ishte i dyti rresht për “bardhekaltrit”.

Me dy fitoret e arritura, trajneri Zekirija Ramadani thotë se ka marrë sinjalet e para të këndelljes pas startit të zbehtë. Por, ai shton se ende nuk është nxjerrë maksimumi nga futbollistët.

Sipas Ramadanit, duhet të shtohet edhe më shumë intensiteti i punës në stërvitje. Prishtina është në vendin e gjashtë me tetë pikë. Krahas dy fitoreve, ka dy barazime dhe dy humbje.

“Me kthimin e futbollistëve të lënduar dhe atyre që mungonin, ritmi në stërvitje është rritur shumë dhe kjo po reflektohet edhe në ndeshje. Jam i kënaqur me rezultatin e dy ndeshjeve të fundit, por më kënaq edhe loja që po tregojmë. Por, gjithmonë e dimë që mundemi më shumë dhe do të punojmë për të qenë në formë gjatë gjithë kampionatit”, ka thënë Ramadani të hënën për KOHËN.

Trajneri shkupjan thotë se ajo që është punuar në stërvitje është duke u shfaqur së fundmi në lojën e Prishtinës.

“Gjithë skemat punohen në stërvitje dhe kemi këmbëngulur që të mos e ndryshojmë stilin e lojës. Ndoshta në fillim kishim probleme, por po vjen loja jonë e zakonshme me shumë kombinime”.

Prishtina ka shënuar nëntë gola, ndërsa ka pësuar gjashtë. Trajneri është i bindur se në ndeshjet e ardhshme të dyja repartet do të funksionojnë edhe më mirë.

Sipas Ramadanit, Prishtina sinjalet e para të kthimit të lojës së saj i ka dhënë në ndeshjen kundër Gjilanit, në kuadër të xhiros së katërt të elitës së futbollit kosovar. Ajo ndeshje pati përfunduar me rezultatin e barabartë, 1:1.

“Sinjali i parë se kemi filluar të luajmë në stilin tonë ka qenë ndeshja kundër Gjilanit. Por, nuk duhet të jemi shumë të kënaqur, duhet të punojmë edhe më shumë dhe të besojmë më shumë. Këto dy javët e fundit kemi ekipin më të kompletuar dhe kemi konkurrencë të shëndoshë. Kjo më ka gëzuar më së shumti edhe pse ende mungojnë Sabien Lilaj dhe Qëndrim Zyba”, ka deklaruar Ramadani.

Prishtina së fundi ka prezantuar sulmuesin Besart Berisha, që ka bërë karrierë të gjatë në Australi. Por, ai nuk pritet shpejt të paraqitet për Prishtinën për shkak të formës jo të mirë fizike. Te Prishtina janë transferuar gjatë verës disa futbollistë me përvojë, si Kristi Vangjeli, Erando Karabeci, Betim Halimi e disa të tjerë. Pritjet janë të mëdha që Prishtina ta mbrojë titullin e kampionit.

Edhe Ramadani pret më shumë nga futbollistët e ardhur, por edhe nga ata që kanë qenë sezonin e kaluar.

“Besoj që me punë dhe me seriozitet do të kemi vazhdimësi të rezultateve pozitive. Tani kemi sinjalet e para dhe vetëm duhet të vazhdojmë me intensitet më të lartë. Kemi kapacitet për më shumë dhe ne si staf teknik do të gjejmë mënyrën e duhur që të nxjerrim maksimumin e secilit futbollist”, ka thënë Ramadani.