Sport

Ramadani synon të shkruajë histori me Gjilanin

Klubi i futbollit Gjilani ndërroi disa trajnerë në tre vjetët e fundit. Por me asnjërin nuk ia doli ta fitonte titullin e kampionit. Titullin e kampionit të Kosovës, Gjilani synim e ka edhe në edicionin 2022/2023. Dhe këtë sukses shpreson ta arrijë me trajnerin Zekirija Ramadani.

Ramadani ka fituar tre tituj të kampionit në Kosovë me tri skuadra të ndryshme – Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën. Trajneri shkupjan është i lumtur që është kthyer të punojë në Kosovë, pas afro një viti të kaluar te Egnatia në Shqipëri. Me Egnatian siguroi mbijetesën në Superligën e Shqipërisë, ndërsa me Gjilanin shpreson ta fitojë titullin, që do të ishte historik për klubin. Gjilani nuk e ka fituar asnjëherë titullin e kampionit.

Për ta arritur një sukses kulmor, Ramadani thotë se i duhet mbështetje edhe nga tifozët “Skifterat”.

“Pres që ekipi të reflektojë ashtu siç dëshirojnë të gjithë që mbështesin Gjilanin. Ekipi i Gjilanit dihet që objektiv kryesor e ka titullin. Pa dyshim që është edhe objektivi im personal me Gjilanin. E dimë që në tre vjetët e fundit Gjilani ishte afër titullit, por në fund ka humbur luftën. Neve na pret një punë shumë e madhe dhe një përkushtim maksimal që mos të ndodhë kjo edhe kampionatin që po vjen”, ka thënë Ramadani.

Ai e ka nisur të hënën punën me Gjilanin, që në përbërje nuk do t’i ketë disa lojtarë që kanë bartur barrën në edicionet e kaluara. Ramadani nuk do ta ketë në dispozicion edhe golashënuesin më të mirë të kampionatit të kaluar, Gerhard Progni.

Ramadani megjithatë beson në lojtarët që kanë mbetur pjesë e ekipit. Ai thotë se te Gjilani do të ketë prurje cilësore.

“Largimet janë bërë me vend. Ata lojtarë ishin për dy apo tre vjet pjesë e klubit dhe nuk arritën ta fitonin titullin. Kryesia bashkë me mua do të mundohemi të bëjmë prurje të lojtarëve cilësorë për ta bërë një konkurrencë të fortë brenda grupit. Shpresoj të mos bëjmë gabime në prurjet e reja. Për atë nuk po nxitojmë vetëm të marrim futbollistë, por kemi durim dhe besoj që do të ketë prurje të forta”, është shprehur Ramadani.

Gjilani merr pjesë për herë të dytë në garat evropiane, përkatësisht në Ligën e Konferencës.

Zekirija Ramadani thotë se për dy vjet, sa ka edhe marrëveshje, do të punojë me motiv të madh te skuadra gjilanase.

“Faleminderit Zotit që më mundësoi të kthehem në kampionatin kosovar. Falënderoj presidentin që më besoi ta udhëheq ekipin në dy vjetët e ardhshëm. Jam shumë i lumtur dhe shumë i motivuar këtu te Gjilani. Çdo edicion ka vështirësitë e veta, por besoj se sezoni i ri do të jetë me shumë sfida dhe vështirësi. Prandaj na duhet konkurrencë e shëndoshë brenda grupit dhe të kemi sa më pak lojtarë të lënduar”.

Gjilani e ka fituar vetëm Kupën e Kosovë. Pati mposhtur në finalen e vitit 2000 Besianën me rezultatin 1:0.

Trajneri i ri thotë se synimi kryesor i Gjilanit mbetet titulli.

“Unë mendoj se çdo koleg trajner do të kishte zgjedhur Gjilanin. Duke e njohur seriozitetin dhe organizimin e klubit, duke njohur drejtuesit në krye me presidentin, nuk ke nevojë të mendohesh shumë, por thjesht të pranosh ofertën dhe të fillosh sfidën. Gjilani nuk ka fituar trofe dhe besoj qe me mbështetjen maksimale të ‘Skifterave’ dhe angazhim maksimal nga secili prej nesh, këtë vit do jemi me një trofe”, është i bindur Ramadani.