Zekirija Ramadani ka një mision para vetes me klubin e tij të ri. Trajneri shkupjan synon ta ngrijë ekipin arab, Ohod Club, nga Kategoria e Dytë në elitën e futbollit të Arabisë Saudite, ku edicionin e ri, krahas Cristiano Ronaldos, do të paraqiten të paktën edhe dy yje tjerë të futbollit botëror – Karim Benzema dhe N’Golo Kante. Trajneri 45-vjeçar është prezantuar të mërkurën te skuadra saudite. Ramadani për faqen zyrtare të klubit ka theksuar se misioni i tij është ta udhëheqë klubin drejt ngritjes në elitën e futbollit arab. Ramadani thotë se ka informacionet e duhura për ta shtyrë ekipin drejt ngritjes në elitë.
“Kam informacion të plotë për klubin që ka një emër të madh dhe një histori të gjatë. Ne do të punojmë shumë me stafin teknik dhe lojtarët për ta pasur një edicion ndryshe dhe të dalluar në të gjitha aspektet. Po ashtu, pres që edhe tifozët ta mbështesin ekipin për të arritur synimet që i kemi në edicionin e ri”, ka thënë Ramadani.
Ai ka falënderuar bordin e klubit për besimin, të cilin pret t’ua kthejë me sukses.
Prezantimi i tij është bërë në mënyrë të veçantë duke numëruar edhe sukseset që ka pasur, në veçanti me klubet e Kosovës. Ramadani në futbollin kosovar ka fituar shtatë trofetë me tri klube të ndryshme - Trepçën ’89, Feronikelin dhe Prishtinën. Trajneri shkupjan ishte në finale të Kupës së Kosovës me Gjilanin. Por, në finale humbi nga ish-skuadra e tij, Prishtina. Gjilani nën drejtimin e tij ka siguruar pjesëmarrjen në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Por Gjilani do të luajë pa udhëheqjen e Ramadanit. Ai ka falënderuar klubin e Gjilanit për mundësinë. Ai punën si trajner në Kosovë e nisi në vitin 2017. Ramadani ka punuar edhe te Shkupi, Flamurtari i Vlorës dhe Egnatia. Ka pasur karrierë të mirë edhe si lojtar.