Sport

Ramadani konfirmon marrëveshjen me Egnatian

Ish-trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka arritur marrëveshje me klubin elitar të Shqipërisë, Egnatia.

Lajmin e ka konfirmuar vet trajneri nga Shkupi. Ai ka njoftuar se kontratën do ta nënshkruajë të hënën, ndërsa do ta zëvendësojë Gugash Maganin.

"Është e vërtetë që kam arritur marrëveshje dhe nesër do të udhëtoj sërish për në Shqipëri për ta nënshkruar kontratën", ka thënë Ramadani të dielën për KOHËN.

Ramadani u shkarkua nga Prishtina vetëm disa javë më parë, për shkak të rezultateve jo të mira. Ai riktheu titullin në kryeqytet pas tetë viteve mungesë sezonin e kaluar.

Ramadani në të kaluarën në Kosovë ka punuar edhe te Trepça '89 dhe Feronikeli.

Pas 11 ndeshjeve të zhvilluara në Kategorinë Superiore, Egnatia renditet e teta me 11 pikë.