Sport

Ramadani flet për grupin që dëshiron ta ketë Shqipëria

Shqipëria të shtunën do t’i mësojë kundërshtarët për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm, që do të organizohet në Gjermani.

Ceremonia e tërheqjes së shortit për “Euro 2024” do të nisë në orën 18:00, kurse mbahet në Hamburg të Gjermanisë.

Hamburgu është njëri prej dhjetë qyteteve që do të jenë nikoqire të Evropianit.

Shqipëria është në vazon e dytë, bashkë me Hungarinë, Turqinë, Rumaninë, Danimarkën dhe Austrinë.

Në vazon e parë janë Gjermania si nikoqire, Portugalia, Franca, Spanja, Belgjika dhe Anglia.

Në vazon e tretë janë Holanda, Skocia, Kroacia, Sllovenia, Sllovakia dhe Republika e Çekisë.

Ndërkohë, vazoja e katërt do të përbëhet prej Italisë, Zvicrës, Serbisë dhe tre fituesve të plejofit që luhet në muajin mars.

Nga secila vazo do të tërhiqet nga një përfaqësuese dhe do të formohen gjashtë grupe me nga katër përfaqësuese.

“Unë do ta doja një grup me Italinë, Gjermaninë, Zvicrën dhe Shqipërinë. Të shohim nesër. Është pjesëmarrja jonë e dytë në histori, një mundësi e shkëlqyer. Kemi me të vërtetë një skuadër të fortë, me 7-8 lojtarë që luajnë në Serie A. Është ëndërr për mua. Qëkur isha fëmijë e kam dashur këtë”, ka thënë Ylber Ramadani të premten në konferencën për shtyp të Lecces, para ndeshjes me Bolognan. Ramadani tashmë është prej lojtarëve kryesorë te Shqipëria.

Në fakt Shqipëria mund ta ketë në grup ose Zvicrën, ose Italinë, ose asnjërën prej tyre.

Lecce – Bologna luhet të dielën nga ora 12:30 dhe i takon xhiros së 14-të të Serie A.

“Atmosfera është pozitive gjithmonë. Jemi skuadër e bashkuar. Nuk shohim se kush luan e kush jo. Ne shkojmë në fushë për të fituar dhe kjo është e gjitha”, ka thënë 27-vjeçari Ramadani, që po shquhet me paraqitje te skuadra italiane.

Lecce ka tetë ndeshje rresht pa fituar në Serie A dhe një tjetër nuk e ka fituar në Kupë të Italisë.

“Ne jemi profesionistë dhe e dimë që nuk kemi fituar në tetë ndeshje. Të dielën duhet të hyjmë me mendimin për fitore. Ne krijojmë shanse, por duhet t’i përfundojmë ato të dielën. Kundër Romës kemi zhvilluar ndeshje të madhe dhe humbëm për dy minuta. Mund t’u shkaktojmë probleme të gjithëve. Ne do të hyjmë të dielën për fitore dhe do të na jepte vetëbesim”, është shprehur Ramadani.

Lecce në Serie A zë vendin e 13-të me 15 pikë.