Qyteti i Rahovecit dhe komuniteti sportiv është mobilizuar maksimalisht në përkrahje të klubit të hendbollit Rahoveci. Kampionit të Kosovës dhe fituesit të Superkupës i duhet përkrahje e madhe për ta realizuar suksesin historik. Rahoveci të shtunën nga ora 19:00, në palestrën “Mizahir Isma”, do të luajë kundër skuadrës belge Sezoens Achilles Bocholt. Është ndeshja kthyese e raundit të dytë të Kupës Evropiane.
Rahoveci ndeshjen e parë e humbi në Belgjikë me tri gola dallim, 32:29. Rezultati i lë me shpresë rahovecasit për përmbysje të rezultatit dhe arritjen e suksesit të parë madhor, në paraqitjen e dytë në gara kontinentale.
“Nëse nuk do të besoja në veten time dhe lojtarët e mi të artë, nuk do të merresha asnjëherë me sport”, ka thënë të premten për KOHËN trajneri i Rahovecit nga Maqedonia e Veriut, Goran Andonovski.
Andonovski është i befasuar nga përkrahja e madhe që ka marrë Rahoveci në ditët e fundit. Të gjitha biletat janë shitur, dhe palestra të shtunën në mbrëmje pritet të jetë e mbushur plot me shikues.
Sa i takon ndeshjes, ka thënë që aspektin e favoritit do ta ketë skuadra belge.
“Fillimisht jam shumë i befasuar, sepse gjitha biletat për këtë ndeshje janë shitur dhe ne do të kontribuojmë në popullarizimin e hendbollit të Kosovës. Sa i përket çështjes së favoritit, kjo le të mbetet te kampioni i shumëfishtë i Belgjikës. Ne do të luajmë me gjithë zemrën për ta arritur rezultatin historik”, ka deklaruar tutje trajneri Andonovski.
Rahoveci në këtë garë kontinentale, të tretën për nga niveli, ishte debutues në tetor të vitit 2022. Në raundin e dytë të Kupës Evropiane i kishte humbur të dyja ndeshjet ndaj skuadrës çeke Karvina, me rezultat të ngushtë.
Përvojën e fituar nga e kaluara Rahoveci synon që ta kthejë në forcë që nga e shtuna.
Në këtë raund të garave ndeshjen kthyese e zhvillon edhe Besa Famgas.
Skuadra pejane po merr pjesë për herën e 19-të në gara evropiane, por do të ketë punë dukshëm më të vështirë në përballjen me Mesto Lovosicen.
Besa Famgas u mposht nga skuadra çeke Mesto Lovosice, në udhëtim me dhjetë gola dallim, 38:28.
I duhet paraqitje shumë e madhe për ta kaluar këtë kundërshtar që shfaqi dukshëm më tepër në ballafaqimin e parë.
Besa në Evropë ka debutuar ndaj Bevo Panningenit të Holandës më 3 shtator të vitit 2005. Prej atij viti vetëm një herë ka munguar në skenën evropiane.
Ndeshja e Besës është të dielën nga ora 19:00, në palestrën "Karagaçi" në Pejë.
Rahoveci dhe Besa Famgas janë dy skuadrat kryesuese në fillim të kampanjës së re në elitën e hendbollit kosovar.
Rahoveci prin në tabelë me dhjetë pikë pas pesë fitoreve në po aq ndeshje të luajtura, derisa Besa Famgas e dyta ka katër fitore e një humbje.
Në Kupën Evropiane të këtij edicioni ka luajtur edhe Kastrioti i Ferizajt.
Kastrioti garoi në raundin e parë kualifikues, por u eliminua nga Slloboda e Tuzllës.