Sport

Rahoveci i jep fund dominimit të Besës, fiton titullin e kampionit në hendboll

KH Rahoveci

Kosova ka kampion të ri në hendboll. Pas dhjetë titujve rresht të Besa Famgasit, Rahoveci fitoi të mërkurën titullin e kampionit për edicionin 2023/2024. Madje “vreshtarët” titullin e parë në histori e fituan pikërisht në palestrën e Besës, atë “Karagaçi” në Pejë.

Skuadra pejane, Besa Famgas, ka plot 19 tituj të kampionit të Kosovës. Doli kampion vazhdimisht në dekadën e fundit. Gjatë kësaj periudhe ka fituar shumë shpesh edhe Kupën e Kosovës. Por këtë edicion mbeti pa kupë e pa titull të kampionit.

Rahoveci ka dominuar gjatë gjithë edicionit në Superligë dhe të mërkurën mbrëma kurorëzoi me titull një kampanjë shumë të mirë. Rahoveci pak vjet më parë është konsoliduar si klub dhe ka nisur ngritjen graduale. Edicionin e kaluar ishte prej ekipeve më të mira, ndërsa këtë edicion ishte bindshëm më i miri.

Në stinorin e rregullt kishte vetëm një disfatë, nga Besa. Skuadrën pejane e kishte mposhtur tri herë. Skuadrat tjera i kishte mposhtur nga katër herë. Në gjysmëfinale të plejofit, Rahoveci e kaloi lehtë Trepçën.

Finalen e plejofit e fitoi me 2:0 në ndeshje. “Vreshtarët” fituan 34:30 të shtunën në shtëpinë e tyre, ndërsa fitoren e dytë e realizuan të mërkurën në Pejë. 29:24 në të mirë të mysafirëve ishte rezultati në fund.

Ndeshja thuajse u mbyll në pjesën e parë, të cilën Rahoveci e fitoi me dhjetë gola dallim 21:11. Në pjesën e dytë, tashmë kampionët, vetëm e menaxhuan takimin.