Qëndresa Krasniqi nuk mendohet dy herë për të dhënë përgjigje kur pyetet nëse kalimi te Baseli i Zvicrës është hapi më i madh në karrierë.
“Pa dyshim”, tha futbollistja të mërkurën për KOHËN, pak orë pasi u prezantua me fanellën e Baselit.
Qëndresa Krasniqi te Baseli zviceran u transferua nga EP-Hajvalia, ndërsa firmosi kontratë të vlefshme deri në vitin 2026.
“Është arritja ime më e madhe deri tash besoj, duke pasur parasysh që Baseli është një ekip shumë i madh dhe shumë profesional. Është një ëndërr e realizuar”.
Për Krasniqin nuk është hera e parë që do të paraqitet në kampionatin zviceran të futbollit. Ajo edhe më herët është paraqitur në periudha të ndryshme për klube zvicerane. Fillimisht luajti për Yverdonin nga viti 2016 deri në vitin 2020 dhe për Aaraun më pas. Për Aaraun shënoi gjashtë gola në pesë ndeshje, kurse për Yverdonin në 84 ndeshje ka shënuar 17 gola.
Krasniqi insiston se Baseli është bindshëm skuadër më e madhe sesa dy skuadrat ku ka luajtur në të kaluarën. Ajo vlerësohet prej futbollisteve më të mira në Kosovë.
“Kalimi te Baseli është një hap shumë i rëndësishëm në karrierën time si futbolliste. Është një kthim më i veçantë, sepse dihet që Baseli është një ekip shumë i madh dhe dallon shumë nga ekipet që kam luajtur. Është një ekip shumë profesional”, është shprehur Krasniqi.
Synimi i saj është titulli i kampionit me skuadrën e Baselit.
“Synoj të paraqitem mirë dhe të zhvilloj lojëra të mira. Po ashtu synoj ta fitoj titullin e kampionit në Superligën e Zvicrës me Baselin”.
Ajo pret të shënoj sa më shumë gola për t’i realizuar synimet me klubin zviceran.
“Shpresoj të shkoj gjithçka mirë, të zhvilloj ndeshje të mira dhe të shënoj shumë gola për Baselin” thotë Qëndresa.
Krasniqi si e re është vlerësuar me potencial shumë të madh. Ajo ka luajtur edhe për Vllazninë e Shkodrës.
Krasniqi është futbolliste e Shqipërisë, ndërsa më herët disa ndeshje i ka zhvilluar edhe për Kosovën. Për Shqipërinë në 20 ndeshje ka shënuar një gol, ndërsa një gol të shënuar e ka edhe për Kosovën.
Vlerësim të lartë Qëndresa ka marrë edhe nga klubi i Baselit, pjesë e të cilit është edhe Vanesa Hoti.
“Qëndresa është një lojtare sulmuese shumë e fortë teknikisht, e cila me cilësitë dhe stilin e saj kreativ të lojës mund të na çojë përpara dhe mund të na ndihmojë në situata për të shënuar. Ajo tashmë e njeh ligën dhe jam i sigurt se do të integrohet shpejt në ekip”, ka thënë shefi i klubit të Baselit për ekipin e futbollisteve, Theo Karapetsas.
Krasniqi nuk është futbollistja e vetme që nga Kosova transferohet jashtë vendit. Por vlerësohet të jetë transferimi më i madh që është bërë deri tash. Baseli po lufton për titull të kampionit në Zvicër. Zë vendin e tretë me 23 pikë nga dhjetë ndeshje. Dy pikë më shumë kanë Zuerichu dhe Servette, por me një ndeshje më shumë të zhvilluar. Në elitën e Zvicrës paraqiten edhe futbolliste të tjera shqiptare.