Sport

Që nga gushti i vitit të shkuar FFK-ja funksionon me ushtrues detyre të sekretarit

Që nga dorëheqja e Eroll Salihut nga pozita e sekretarit të përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), në fillim të gushtit të vitit 2021, FFK-ja është me ushtrues detyre. Avokati Taulant Hodaj, që ka qenë edhe udhëheqës i Zyrës Ligjore të FFK-së, është emëruar ushtrues detyre i sekretarit më datën 16 gusht të vitit 2021. Që nga ajo datë FFK-ja është me ushtrues detyre, duke mos arritur që të emëronte sekretarin e përgjithshëm, praktikë kjo jo e zakonshme.

“Presidenti Agim Ademi në bazë të kompetencave të tij e ka emëruar sot Taulant Hodajn ushtrues detyre të sekretarit të përgjithshëm të FFK-së. Hodaj ka qenë udhëheqës i Zyrës Ligjore të FFK-së, si dhe avokat, i cili e ka përfaqësuar FFK-në në arenën ndërkombëtare edhe në atë vendore, teksa tash do të jetë edhe u.d. i sekretarit të përgjithshëm”, thuhej në njoftimin e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në fakt, kryetari i Federatës së Futbollit e propozon emrin e sekretarit të përgjithshëm te Komiteti Ekzekutiv, organ që ka të drejtën e votimit pro ose kundër.

Ushtruesi i detyrës i sekretarit të përgjithshëm të FFK-së, avokati Taulant Hodaj, ka thënë për KOHËN të hënën se e ka pranuar këtë pozitë pas dorëheqjes së Eroll Salihut. Ai thekson se pozita që kishte mbetur vakante është dashur të plotësohej.

“Unë jam avokat i Federatës së Futbollit të Kosovës. Pasi pozita e sekretarit kishte mbetur vakante, për shkak të specifikave të rastit ku është dorëhequr Eroll Salihu, i cili ka kaluar në pozitë tjetër, mua më është kërkuar që të merrja përkohësisht pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit. Unë e kam analizuar dhe e kam pranuar këtë pozitë. Unë jam emëruar me vendim të Komitetit Ekzekutiv dhe vazhdoj ta ushtroj pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit të përgjithshëm. Është e vërtetë që në statut nuk është e paraparë çështja e ushtruesit të detyrës, por për këtë vendos Komiteti Ekzekutiv i FFK-së”, deklaroi Hodaj.

Përfaqësuesi ligjor i institucionit më të lartë të futbollit në vend, që mban përkohësisht edhe pozitën e sekretarit, thotë se nuk e di deri kur do të jetë në këtë pozitë. Thekson se po t’i ofrohej pozita do të mendonte mirë përpara se ta pranonte.

“Unë do të vazhdoj të jem ushtrues detyre deri në një vendim tjetër të Komitetit Ekzekutiv. Nëse më ofrohet pozita e sekretarit të përgjithshëm më duhet të mendoj dhe të vendos se a mund ta pranoj apo jo. Për momentin nuk ka diçka në këtë drejtim. Vendimet i merr Komiteti Ekzekutiv. Unë vazhdoj të jem edhe avokat i FFK-së. Deri më tani kam qenë më shumë si këshillues ligjor pasi FFK-ja nuk ka ndonjë proces gjyqësor që unë ta mbroj”, shtoi Hodaj.

Sekretari i përgjithshëm është shef ekzekutiv i Sekretariatit të përgjithshëm në FFK dhe është organi më i lartë operativ. Sekretariati përkujdeset për të gjitha punët administrative të FFK-së. KOHA ka dërguar pyetje në adresë të Federatës së Futbollit të Kosovës lidhur me këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje deri të hënën në mbrëmje. Sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës për 15 vjet ka qenë juristi dhe ish-futbollisti Eroll Salihu. Ai u largua nga kjo pozitë pak javë pas raportimeve të mediave në vend se ka pasur konflikt fizik me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi, brenda objektit të këtij institucioni. Salihu kishte mohuar konfliktin fizik. Por, si Ademi ashtu edhe Salihu kishin pranuar se kanë pasur mospajtime për disa çështje të caktuara. Eroll Salihu u largua duke marrë dy pozita të tjera në Federatën e Futbollit të Kosovës, atë të drejtorit për çështje sportive dhe të këshilltarit senior ligjor. Në korrik të këtij viti pritet të mbahen zgjedhjet për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës. Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, ka konfirmuar se do ta kërkojë mandatin e dytë. Ndërkohë deri më tani vetëm Nexhat Dumnica dhe Bekim Shotani publikisht muaj më parë kanë shpallur kandidaturën e tyre për postin e kreut të FFK-së. Për të pasur të drejtën e futjes në garë për postin e kryetarit të FFK-së, sipas statutit, duhet 15 nënshkrime të delegatëve që do të jenë pjesëmarrës në Kuvend. Agim Ademi u zgjodh në krye të FFK-së më 6 korrik të vitit 2020 në Kuvendin e jashtëzakonshëm pas vdekjes së Fadil Vokrrit. Zgjedhja e tij për mandat katërvjeçar u kontestua, pasi shumë mendonin se duhej vazhduar mandati i mbetur.