Sport

Publikohet videoja që përjashtoi Onanan nga Botërori

Një video e publikuar në rrjetet sociale ka sqaruar arsyen pse përzgjedhësi i Kamerunit, Rigobert Song, e përjashtoi portierin e Interit, Andre Onanan, në dy ndeshjet e fundit të fazës grupore të Botërorit.

Onana 26-vjeçar, luajti në ndeshjen hapëse të Kamerunit kundër Zvicrës në Katar, por nuk luajti në dy ndeshjet tjera për shkak të mosmarrëveshjes me përzgjedhësin Song.

“Ditën e ndeshjes me Serbinë i thash Onanas se duhet të flas me të dhe ai filloi të qajë. I thashë se nuk kam kohë të bisedoj për çështje të tilla dhe se e kam thirr një ditë më herët dhe ai nuk foli. Pse nuk duhet të flas me ty, i thashë. Onana ishte i mirë në stërvitje por rrezikonte shumë në ndeshje dhe i kam thënë që nuk duhet të rrezikosh. I kam thënë të pasosh anash dhe jo në mes të fushës. Ndërkohë, ai më tha se unë po luaj dhe nuk kam kohë të flas me ty. Kur ishim në hotel, ai nuk më foli, por shkoi te presidenti Samuel Eto’o dhe ai nuk e di se ku e dërgoi atë”, është shprehur përzgjedhësi Song.

Ende nuk dihet se me kë fliste Song, por ka qenë dikush brenda në zyrën e tij.

Onana ka luajtur në 13 ndeshje me Interin këtë sezon dhe në pesë ndeshje nuk ka pranuar gol.