Sport

Promovohet monografia kushtuar Xhavit Kajtazit

Sporti, shtetndërtimi dhe jeta publike , monografia per Xhavit Kajtazin nga autori Veli Kajtazi

“Sporti, shtetndërtimi dhe jeta publike”, është titulli i monografisë së promovuar të hënën në Institutin Albanologjik në Prishtinë, kushtuar Xhavit Kajtazit e me autor Veli Kajtazin. 

Roli dhe ndikimi i doajenit të gazetarisë sportive, Xhavit Kajtazi, u vlerësua lart. 

Për jetën dhe veprën e Xhavit Kajtazit folën autori i monografisë, Veli Kajtazi, recenzenti, Besim Kajtazi, kryetari i Komiteti Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, dhe profesori i Fakultetit të Edukimit Sportiv, Malsor Gjonbalaj.

Kajtazi ka një jetë në sport e gazetari sportive.

Pas përkushtimit për muzikën, Xhavit Kajtazi si volejbollist e më vonë edhe si trajner dha kontribut të çmuar për promovimin e sportit të rrjetës në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën. Kajtazi me përkushtimin dhe punën e tij arriti të nxjerr emra të njohur të volejbollit të Kosovës. 

Ndikimi i Kajtazit në avancimin e sportit dhe gazetarisë sportive u vlerësua i madh.

Ai vlerësohet prej kontribuuesve edhe në pavarësimin e sportit të Kosovës, duke informuar  opinionin e gjerë për të gjitha zhvillimet e kohës. 

Në monografinë e publikuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, janë publikuar edhe disa prej qindra intervistave, reportazheve dhe shkrimeve të Xhavit Kajtazit.

Familja Kajtazi është e njohur si familje sportistësh. 13 prej anëtarëve në periudha të ndryshme janë marrë me sport.