Nottingham Foresti barazoi të hënën mbrëma me shifrat 2:2 në udhëtim ndaj Middlesbrough. Ndeshja i takoi xhiros së 36-të të kategorisë së dytë angleze.
Për portierin e parë të Kosovës, Arijanet Muriq, ishte një ndeshje e zakonshme, si gjithë të tjerat në muajt e fundit. Ai nuk u aktivizua për Nottingham Forestin. Qëndroi në stol.
Në të vërtetë pritja e Aro Muriqit për ndeshjen e radhës po zgjat shumë. Ai së fundi është aktivizuar më 17 nëntor të vitit të kaluar. Pranoi katër gola në Prishtinë në ndeshjen kualifikuese të Kosovës ndaj Anglisë. Për Kosovën kishte luajtur edhe më 14 nëntor e po ashtu më 14 tetor.
Për Nottinghamin nuk është aktivizuar që nga 24 shtatori. Kishte pësuar plot pesë gola nga Arsenali në një ndeshje për kupë. Ndërsa në kategorinë e dytë angleze nuk është paraqitur që nga 21 gushti.
Ka kohë që nuk aktivizohet edhe portieri i dytë i Kosovës, Samir Ujkani. Dhe me shumë mundësi asnjëri prej tyre nuk do të paraqitet deri më 26 mars, kur Kosova e luan ndeshjen e radhës.
“Problemi me portierët është ky që është. Nuk mund ta ndryshojmë situatën. Shpresoj që të paktën të luajnë nga një ndeshje deri në grumbullim”, ka thënë selektori i Kosovës, Bernard Challandes ditë më parë për Koha.net
Muriq te Nottinghami është i huazar nga Manchester City. Fillimisht ishte vlerësuar si përforcim i madh, por shpejtë humbi vendin. Në fund të dhjetorit dhe gjatë tërë janarit nuk ishte as në stol. Tani është kthyer në stol të skuadrës.
Të hënën në stol qëndroi edhe një reprezentues i Kosovës. Sulmuesi i krahut, Florent Muslija nuk u aktivizua fare në fitoren 3:1 të Hannoverit ndaj Holstein Kielit në Bundesliga 2 të Gjermanisë.