Sport

Prishtina synon fitoren e radhës, Gjilani të parën për këtë vit

Ardian Limani u është gëzuar shumë fitoreve ndaj Gjilanit në të kaluarën sa ishte pjesë e Dritës. Përjetoi edhe humbje nga Gjilani. Por Limani shpreson të arrijë një tjetër ndaj Gjilanit. Fitore ndaj rivalit të ish-skuadrës së tij Dritës, Gjilanit, synon të arrijë me fanellën e Prishtinës. Ai mezi pret përballjen kundër ekipit të Gjilanit.

Për Limanin, paraqitja ndaj Gjilanit do të ishte e para me fanellën e Prishtinës në Superligë. Prishtinës iu bashkua në janar nga skuadra e Shkëndijës së Tetovës.

Mbrojtësi 30-vjeçar nuk ishte pjesë e ekipit të Prishtinës që javë më parë eliminoi Gjilanin nga Kupa e Kosovës. Por ai shpreson të jetë paraqitet nga minuta e parë në ndeshjen që Prishtina e luan të premten ndaj Gjilanit, në kuadër të javës së 20-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja luhet në fushën me bari sintetik në Gjilan dhe nis nga ora 13:00.

Prishtina është në pozitën e katërt me 29 pikë, kurse Gjilani në vendin e tetë me 19 pikë.

“Mezi pres rastin që zyrtarisht të premten të rikthehem në Superligë. Ndjehem plotësisht i gatshëm që t’i ndihmojë skuadrës. Padyshim na pret ndeshje e vështirë, sepse e kemi parë edhe nga përballja në Kupë që Gjilani është kundërshtar shumë i vështirë. Do të jetë ndeshje shumë e luftuar, por së bashku me shokët do të japim maksimumin dhe t’i marrim tre pikët e plota”, ka thënë Limani të enjten për faqen zyrtare të klubit “bardhekaltër”.

Prishtina është në seri prej dhjetë ndeshjeve pa humbje. Në pesë xhirot e fundit në Superligë nuk ka pësuar asnjë gol.

Ndërkohë, Gjilani nuk ka pasur rezultate të mira së fundi. Është pa fitore në tri ndeshjet e fundit në Superligë. Ka barazuar javën e shkuar ndaj Fushë Kosovës 1:1. Në dhjetor humbi dy ndeshjet kundër Dukagjinit, përkatësisht Dritës. Të dyja ndeshjet i humbi me rezultat të njëjtë, 1;0. Fitoren e fundit e ka shënuar ndaj Lirisë më 2 dhjetor. Pati fituar bindshëm, 4:0.

Te Gjilani pranojnë se dueli ndaj Prishtinës nuk do të jetë i lehtë.

Futbollisti Kushtrim Shabani thekson se çdo pikë e fituar kundër Prishtinës do të kishte vlerë të madhe.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë duke pasur parasysh që nuk kemi e kemi filluar në mënyrën e duhur e po ashtu edhe formën e mirë të kundërshtarit. Mirëpo për ne çdo pikë është e vlefshme”, ka thënë 27-vjeçari për KOHËN.

27-vjeçari pret ndihmën e publikut për të arritur rezultat pozitiv kundër Prishtinës.

“Luajmë në shtëpi dhe do të japim gjithçka nga vetja që të rikthehemi te rezultatet pozitive. Të gjithë lojtarët jemi të gatshëm dhe presim që me maksimumin nga vetja të dalim me rezultat pozitiv nga fushë”, ka theksuar Shabani.

Të premten luhen edhe dy ndeshjet të tjera. Kampioni i Kosovës e pret Feronikelin 74 në Suharekë, kurse Liria në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren përballet me skuadrën e Dritës së Gjilanit.

Superliga – Java 20

E premte (13:00

Gjilani – Prishtina

Ballkani – Feronikeli 74

Liria – Drita

E diel (13:00

Malisheva – Fushë Kosova

Llapi - Dukagjini

1. Ballkani 19 13 4 2 36:16 43

2. Llapi 19 11 4 4 30:16 37

3. Drita 19 10 4 5 25:13 12

4. Prishtina 19 6 11 2 22:17 29

5. Malisheva 19 9 2 8 28:24 29

6. Dukagjini 19 6 9 4 22:21 27

7. Feronikeli 74 19 6 3 10 18:30 21

8. Gjilani 19 5 4 10 14:19 19

9. Fushë Kosova 19 2 5 12 13:30 11

10. Liria 19 1 6 12 13:35 9