Sport

Prishtina synon fitoren e parë pas gjashtë ndeshjeve

Prishtina ka gjashtë ndeshje që nuk ka fituar pikët e plota në elitën e futbollit të Kosovës. Ka lëshuar pikë edhe me Fushë-Kosovën dhe Lirinë e Prizrenit, dy skuadrat e fundit në tabelë.

Në serinë pa fitore, Prishtina ka pesë barazime e një humbje. Fitoren e fundit e ka ndaj Malishevës, më 26 gusht, në kuadër të xhiros së tretë.

Fitoren “bardhekaltrit” e synojnë të shtunën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, ndaj Feronikeli 74. Ndeshja nis në orën 13:00 dhe i takon xhiros së dhjetë të Superligës. Xhiroja e dhjetë e hapë fazën e dytë të garave.

Prishtina zë pozitën e pestë me 12 pikë pas nëntë ndeshjeve të luajtura. Ka vetëm dy pikë më shumë se skuadra nga Drenasi që renditet e gjashta.

Trajneri i Prishtinës, Debatik Curri, ka thënë të premten për KOHËN se ndaj Feronikelit 74, synohet fitorja dhe kthimi i formës.

“Besoj se me paraqitjet që i kemi bërë kemi merituar shumë më shumë pikë, për faktin se në sekonda të fundit kemi pësuar disa gola. Feronikeli edhe pse nuk ka filluar mirë, ndeshjet e fundit ka bërë paraqitje shumë të mira dhe do të jetë shumë e vështirë”, ka thënë Curri.

Gabimet e shfaqura në duelet e kaluara, trajneri Curri tha se janë munduar t’i evitojnë me përgatitje gjatë pushimit dyjavor shkaku i ndeshjeve të përfaqësueseve. Ai tha se është punuar mjaftë mirë në këtë kohë.

“Jemi përgatitur mjaft mirë për këtë ndeshje. Normalisht, do të shkojmë ta fitojmë ndeshjen dhe besoj se pushimi dyjavor na ka shërbyer për të punuar në ato pikat e dobëta që i kemi bërë në ndeshjet e kaluara”, ka thënë Curri.

Ndryshe nga Prishtina, Feronikeli 74 fitoren e fundit në Superligë e pati në xhiron e kaluar, para pushimit dyjavor. Në “Rexhep Rexhepi” fitoi ndaj Fushë Kosovës, 3:0. Para atij ballafaqimi, kishte barazuar me Dukagjinin në Klinë.

Ecuria pozitive e ka gëzuar Xhengis Rexhepin, trajnerin e Feronikelit 74. Ai thotë se forma dhe atmosfera është e mirë dhe rezultatet e fundit e trimërojnë skuadrën për një tjetër paraqitje pozitive.

“Kemi ecuri të mirë të rezultateve dhe lojës. Jemi përmirësuar goxha mirë dhe kjo na jep vetëbesim që në ndeshjet e radhës të tregojmë ndeshje të mira dhe rezultate pozitive”, ka thënë Rexhepi të premten.

Ai shtoi se për asnjërën skuadër ndeshja nuk do të jetë aspak e lehtë.

“Jemi përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme për duelin ndaj Prishtinës. Nuk do të jetë e lehtë aspak për të dyja skuadrat”.

Në “Rexhep Rexhepi”, Feronikeli 74 në fillim të këtij edicioni ka pësuar disfata nga Drita dhe Llapi. Ndërkohë, përveç Fushë Kosovës e ka mposhtur edhe Gjilanin.

Dueli tjetër që zhvillohet të shtunën nga ora 13:00 është ai ndërmjet Gjilanit dhe Fushë Kosovës.

Gjilani është pa fitore në tri ndeshjet e fundit ku ka dy disfata e një barazim. Ndërkohë, Fushë Kosova fitoren e parë të edicionit e realizoi para pushimit dyjavor. Fitoi ndaj Gjilanit 2:0 më 11 tetor, në ndeshjen e mbetur të xhiros së parë.

Xhiroja e dhjetë mbyllet të dielën me ndeshjet Llapi – Drita dhe Malisheva – Dukagjini.

Superliga – X

E premte

Ballkani – Liria 4:1

(Shënues: Berisha 46’, Dellova 51’, Kryeziu 57’, 79’ – Zenunaj 15’)

E shtunë (13:00)

Gjilani – Fushë Kosova

Feronikeli 74 – Prishtina

E diel (13:00)

Malisheva – Dukagjini

Llapi – Drita


1. Ballkani 9 7 2 0 18:7 23

2. Llapi 9 6 1 2 16:8 19

3. Drita 8 5 3 0 15:4 18

4. Malisheva 9 4 0 5 18:15 12

5. Prishtina 9 2 6 1 12:11 12

6. Feronikeli 74 9 3 1 5 12:18 10

7. Dukagjini 9 1 6 2 8:11 9

8. Gjilani 9 2 2 5 5:10 8

9. Liria 10 1 3 6 7:16 6

10. Fushë Kosova 9 1 2 6 8:19 5