Sport

Prishtina synon fitore ndaj Llapit për t’iu afruar në tabelë

Prishtina kishte ecuri të gjatë pa fitore, ndërsa atë e arriti me trajnerin Emmanuel Egbo, në debutim e tij, kundër Gjilanit fundjavën e kaluar. U mendua se kriza e rezultateve ishte lënë prapa, por “bardhekaltrit” u befasuan në mesjavë nga Malisheva. U mposhtën 1:0 me gol të minutave të fundit.

Kthimin te pikët e plota Prishtina do ta kërkojë në fundjavë. Të dielën nga ora 19:00, Prishtina e pret Llapin në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e xhiros së 13-të të Superligës së Kosovës në futboll.

Prishtina pas 12 ndeshjeve ka grumbulluar 16 pikë dhe zë pozitën e pestë në tabelë. Ka pesë pikë më pak se Llapi që është i treti.

Edhe Llapi vjen në këtë derbi pas tri ndeshjeve pa fitore, ku ka një disfatë e dy barazime rresht. Barazimin e fundit e pati të enjten me Fushë-Kosovën në Podujevë.

Portieri i Prishtinës, Ardit Nika, ka thënë se humbja ndaj Malishevës nuk do të duhej të ndodhte. Por ai shpreson se fati që i mungoi skuadrës në duelin e kaluar, të jetë me “bardhekaltërit” të dielën.

“Atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe gjithçka është në rregull. Nuk na mungon asgjë, jemi të bashkuar dhe do të luftojmë për njëri-tjetrin deri në fund. Besoj se Prishtina shpejtë do të kthehet ku e ka vendin së bashku me tifozët ‘Plisat’, të cilët edhe në këtë vit po e konfirmojnë dashurinë për klubin, si në humbje ashtu edhe në fitore. Të dielën do të luajmë për tifozët tanë, t’ua kthejmë gëzimin. Premtojmë se do të jemi më të fortë se asnjëherë më parë së bashku me ta”, ka thënë portieri Nika.

Të dielën zhvillohen edhe dy duele tjera.

Dukagjini në Klinë e pret Dritën, teksa Fushë-Kosova dhe Liria do ta zhvillojnë derbin e mbijetesës.

Fushë Kosova është e fundit me shtatë pikë, një më pak se Liria. Ky ballafaqim do të luhet në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Fushë Kosova ka shënuar vetëm nëntë gola. Gati gjysmën e golave për këtë skuadër e ka realizuar sulmuesi Urim Statovci. Statovci, që ka katër gola e një asistim, synon që të vazhdojë me paraqitje të tilla në mënyrë që ta ndihmojë skuadrën të largohet nga fundi.

“Ndeshja me Lirinë do të jetë e vështirë sepse në Superligë nuk ka ballafaqime të lehta. E rëndësishme është që ekipi ynë në ndeshjet e fundit ka pasur ecuri të mirë. Kemi arritur që në dy ndeshjet e fundit të marrim rezultate pozitive. Barazimi ndaj Llapit na jep një motiv shtesë për ndeshjen e ardhshme. Besoj se do t’i arkëtojmë pikët e plota pasi edhe ne jemi afër në tabelë. Do të mundohemi që të mos e humbim hapin që ekipet tjera të krijojnë distancë”, ka thënë Statovci, duke shtuar se Fushë Kosova paraqitje të mira ka pasur edhe ndaj ekipeve që janë lartë në tabelë.

Pikët e plota në këtë ndeshje i kërkon edhe kapiteni i Lirisë, qendërmbrojtësi Ardit Topalaj.

“Shkojmë për fitore pasi na duhen pikët. Përparësi për këtë ndeshje është se jemi të kompletuar, ndryshe nga ndeshjet e tjera ku kemi luajtur me shumë mungesa. Jemi të motivuar për fitore. Do të jemi të bashkuar dhe do të luftojmë për njëri-tjetrin. Fitorja do të jetë shumë e rëndësishme për ne për vazhdimin e kampionatit”, është shprehur ai.

Të shtunën i vetmi ballafaqim është ai ndërmjet Feronikelit 74 dhe Malishevës.

Në këtë fundjavë është dashur të luhej edhe takimi mes Gjilanit dhe Ballkanit, por është shtyrë për shkak të angazhimit të suharekasve në Ligën e Konferencës. Ballkani luan në Kazakistan kundër Astanas, të enjten. E pret udhëtim i gjatë.

Superliga – XIII

E shtunë

Feronikeli 74 – Malisheva (13:00)

E diel:

Fushë Kosova – Liria (13:00)

Dukagjini – Drita (13:00)

Prishtina – Llapi (19:00)

Gjilani – Ballkani (luhet më vonë)

Image