Sport

Prishtina shpreson ta ndalë hovin e Pejës

Sigal Prishtina nuk do të ketë aspak mision të lehtë në xhiron e gjashtë të Superligës së Kosovës në basketboll. Prishtina synon ta ndalë hovin e Pejës, duke ia shkaktuar humbjen e parë këtë edicion kampiones në fuqi.

Dueli mes Prishtinës dhe Pejës, që edhe është derbi i xhiros, do të zhvillohet të shtunën prej orës 16:00 në kryeqytet. Te Prishtina e kanë parasysh se përballë kanë një kundërshtare të fortë, por insistojnë se janë të përgatitur maksimalisht dhe se do të futen për fitore ndaj Pejës.

Peja është ekipi i vetëm në Superligë që ende nuk di për humbje, duke regjistruar pesë fitore në po aq ndeshje. Skuadra pejane i prin tabelës me 10 pikë. Peja të mërkurën e mposhti Den Boschin e Holandës në kuadër të FIBA Europe Cup.

Basketbollisti i Prishtinës, Arti Hajdari, pret ndeshje të fortë, kurse thotë se synimin e kanë të qartë. Hajdari, i cili edicionin e shkuar ishte kapiten i Pejës dhe fitoi titullin e kampionit, beson se tifozët do të kënaqen me basketbollin cilësor që do ta tregojnë të dyja ekipet në derbi. Ai shtoi se detajet e vogla do të vendosin fituesin dhe beson se Prishtina do të ketë më pak gabime.

“Dueli mes Prishtinës dhe Pejës gjithmonë është derbi. Besoj se do të jetë një lojë shumë e fortë dhe do ta kënaqim publikun me atë që do ta shfaqim në parket. Mendoj se ky derbi do të vendoset nga detajet e vogla dhe ekipi që bën më pak gabime dhe është më i fokusuar do të fitojë. E ky ekip shpresoj të jemi ne”, ka thënë Hajdari të premten.

“Jemi përgatitur mirë dhe jemi maksimalisht të motivuar për fitore, ndonëse nuk do të jetë lehtë për shkak se Peja ka ekip të fortë dhe ka treguar paraqitje të mira këtë edicion”.

Te Peja e vlerësojnë Prishtinën dhe presin një ndeshje të fortë për ta arsyetuar epitetin e derbit të xhiros. Peja do të udhëtojë në Prishtinë për të fituar dhe për të vazhduar serinë e fitoreve. Fitorja në FIBA Europe Cup e ka motivuar edhe më shumë skuadrën pejane për duelin me Prishtinën. Kështu ka insistuar basketbollisti Arian Qallaku, i cili në fitoren ndaj Den Boschit kontribuoi me 15 pikë.

Në radhët e Pejës ndaj Prishtinës pritet të debutojë edhe qendra amerikane Urald King, të cilin kampionia e Kosovës e prezantoi të enjten.

“Ndeshjet me Prishtinën gjithmonë janë derbi, pasi të dyja skuadrat tregojnë lojë cilësore. Kjo përballje do të jetë shumë e fortë dhe këtë e kemi parasysh. Jemi gati dhe të motivuar për këtë ndeshje, pasi e kemi analizuar mirë Prishtinën dhe në fund besoj se do të dalim me një rezultat pozitiv”, ka thënë Qallaku.

Të shtunën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër. Në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, Golden Eagle Ylli e pret Proton Cable Prizrenin, nga ora 17:00. Të dyja skuadrat kanë pasur start të dobët dhe nuk dinë për fitore në xhirot e fundit. Si Ylli ashtu edhe Prizreni kanë nga gjashtë pikë pasi kanë regjistruar nga një fitore karshi katër humbjeve. Ylli është në seri prej tri humbjeve, ndërsa Prizreni ka pësuar disfata në dy xhirot e fundit.

Xhiroja e gjashtë e elitës së basketbollit kosovar do të vazhdojë të dielën me ndeshjet që do të luhen në Pejë dhe Prizren. Në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Istogu e pret skuadrën e Vëllaznimit. Kjo ndeshje nis në orën 17:00 dhe skuadrat do ta kërkojnë fitoren e dytë këtë edicion. Vëllaznimi në xhiron e shkuar e regjistroi fitoren e parë që erdhi pas katër humbjeve rresht, ndërsa Istogu që po ashtu ka katër disfata, në xhiron e dytë triumfoi ndaj Bashkimit.

Me derbin tjetër, atë ndërmjet Bashkimit dhe Trepçës, do të mbyllet xhiroja e gjashtë. Kjo ndeshje nis në orën 19:00 dhe zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren. Trepça ka nëntë pikë, një më shumë se Bashkimi që ka tri fitore e dy humbje deri më tani.

Trepça në këtë ndeshje do të futet pas disfatës së thellë që e pësoi të mërkurën në Mitrovicë nga ZZ Leideni në FIBA Europe Cup. Trepça, që po debuton në këtë garë, u mposht me shifrat 84:54, ndërsa ndaj Bashkimit do ta kërkojë fitoren e pestë këtë edicion në kampionat.

Superliga – VI

E shtunë

S. Prishtina – Peja (16:00)

G. E. Ylli – P. C. Prizreni (17:00)

E diel

Istogu – Vëllaznimi (17:00)

Bashkimi – Trepça (19:00)


1. Peja 5 10

2. Trepça 5 9

3. S. Prishtina 5 9

4. Bashkimi 5 8

5. G. E. Ylli 5 6

6. Vëllaznimi 5 6

7. P. C. Prizreni 5 6

8. Istogu 5 6