Përkundër mungesave të shumta, Prishtina do të futet vetëm për fitore në ndeshjen ndaj Drenicës. Kështu ka paralajmëruar trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, të premten, për KOHËN. Dueli mes Prishtinës dhe Drenicës, që zhvillohet të dielën prej orës 13:30 në stadiumin “Fadil Vokrri” është derbi i xhiros së 12-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Për ndeshjen me Drenicën, trajneri Ramadani nuk mund të llogaritë në lojtarët si Qëndrim Zyba, Sabien Lilaj, Xhevdet Shabani, Besart Berisha e Gauthier Mankenda, ndërsa në dyshim janë edhe Gledi Mici e Kristi Vangjeli. Megjithatë, Ramadani është i bindur se Prishtina ka potencial për t’u përballur me Drenicën dhe për ta mposhtur. Sipas tij, fitorja eventuale mund ta kthejë Prishtinën në rrugën e duhur pas krizës që e ka kapluar kohët e fundit.
Në gjashtë ndeshjet e fundit, Prishtina ka dy fitore, dy barazime dhe dy humbje. Në ndeshjen ndaj Drenicës, Prishtina futet pas disfatës që e pësoi 2:0 në udhëtim te Ballkani. Aktualisht Prishtina është e pesta në tabelë me 13 pikë, tetë më pak se Ballkani që është lider dhe mbetet ekipi i vetëm pa humbje këtë edicion në elitë. Ndërkohë, Drenica zë vendin e dytë me 20 pikë, sa i ka edhe Gjilani që renditet i treti.
“E dimë që kemi përballë një skuadër shumë të mirë dhe këto rezultate të Drenicës nuk janë aspak të rastësishme, pasi bëhet fjalë për një super ekip që po bën një lojë shumë të mirë. Mirëpo, neve na intereson vetëm fitorja dhe asgjë tjetër”, është shprehur Ramadani. “Mendoj që kemi potencial të përballemi jo vetëm me Drenicën, por me secilin kundërshtar. Është evidente se jemi në një krizë rezultatesh, por besoj që ndeshja me Drenicën do të jetë ajo që do të reflektojë tek ekipi për t’u kthyer në rrugën e suksesit”.
Edhe te Drenica kanë paralajmëruar se në Prishtinë udhëtojnë për një rezultat pozitiv. Këtë e ka thënë sulmuesi nga Brazili, Denisson. Në ndeshjen e parë të këtij sezoni, të luajtur në Skenderaj, Drenica pati triumfuar ndaj Prishtinës (2:1). Këtë edicion, Prishtina ka vetëm një fitore si vendase dhe atë ndaj Malishevës (2:1).
Denisson ka insistuar se Drenica është përgatitur maksimalisht për këtë derbi, që sipas tij është i rëndësishëm për ta mbajtur hapin me kreun e tabelës.
“Është një ndeshje shumë e fortë, pasi luajmë kundër një ekipi që është shumë i mirë dhe për të cilin kemi respekt të madh. Mirëpo, nëse duam të mbajmë formën e mirë që e kemi këtë edicion, atëherë duhet të luftojmë dhe të marrim rezultate pozitive kundër të gjitha ekipeve, përfshirë edhe Prishtinën. Synimi ynë është që të mos mposhtemi pasi duam të mbajmë pozitën që e kemi aktualisht”, është shprehur Denisson. “Jemi përgatitur mirë për këtë ndeshje dhe jemi të gatshëm. Personalisht po punoj shumë dhe jam në formë të mirë. Dua ta ndihmoj ekipin të arrijë synimet pasi e di potencialin tim”.
Të dielën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër në kuadër të kësaj xhiroje. Në Lipjan, skuadra e Ulpianës që është e parafundit në tabelë, e pret Ballkanin.
Xhiroja do të hapet të shtunën me tri ndeshje, të cilat startojnë prej orës 13:00. Nënkampionia në fuqi, Drita, e pret në shtëpi Malishevën dhe është në kërkim të fitores së tretë rresht. Drita ka 19 pikë, shtatë më shumë se Malisheva që në gjashtë ndeshjet e fundit ka dy barazime e katër humbje.
“Kam respekt për kundërshtarin, ekip që ka treguar se mund ta befasojë çdo rival. Duhet t’i qasemi me seriozitetin më të madh dhe të vazhdojmë me formën që e kemi treguar në ndeshjet e fundit”, ka thënë trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu.
Në Drenas, Feronikeli e pret Llapin ndërsa skuadra e Dukagjinit përballet me Gjilanin në Klinë.
Superliga – XII
E shtunë
Drita – Malisheva (13:00)
Feronikeli – Llapi (13:00)
Dukagjini – Gjilani (13:00)
E diel
Ulpiana – Ballkani (13:00)
Prishtina – Drenica (13:30)