Sport

Prishtina po stërvitet me synimin për ta kthyer titullin pas tetë vjetësh

Me gjithë kushtet jo të mira atmosferike, skuadra e Prishtinës ka disa ditë që po përgatitet për stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll, që nis muajin tjetër. Te “bardhekaltrit”, në stërvitjen e së martës, e cila u zhvillua në fushën e mbuluar nga bora në Bërnicë, të pranishëm ishin të gjithë futbollistët, me përjashtim të sulmuesit kryesor Otto John. Nigeriani John aktualisht gjendet në vendlindje, por do të bashkohet me pjesën tjetër të ekipit pas kompletimit të dokumenteve.

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka folur për fazën e parë përgatitore, të cilën e ka përshkruar si shumë të vështirë. Prishtina më 6 janar e ka nisur fazën përgatitore në Bërnicë, të cilën do ta vazhdojë më vonë në Antalya të Turqisë.

“Kemi pasur pak vështirësi në këto ditët e fundit shkaku i borës. Mirëpo gjithmonë ka rrugëdalje dhe kemi shfrytëzuar edhe palestrën për fitnes për të përgatitur ekipin sa më mirë e që t’i shmangim lëndimet. Kemi dalë në fushë për të stërvitur, kushtet nuk janë edhe aq të favorshme, por kur është vullneti i madh për të stërvitur nuk është aspak problem koha. Ne duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë që të jemi të gatshëm për stinorin pranveror”, ka thënë Ramadani.

Trajneri Ramadani ka folur edhe për synimin në stinorin pranveror, e që është titulli i kampionit që i mungon Prishtinës që nga viti 2013. Prishtina e ka përfunduar stinorin vjeshtor në pozitën e tretë në tabelë me 32 pikë, nëntë më pak se Drita që kryeson. Ndërkohë skuadra e Ballkanit zë vendin e dytë me 38 pikë të mbledhura.

Ramadani thotë se për ta kthyer titullin në Prishtinë pas një pritjeje kaq të gjatë duhet shumë punë dhe angazhim në stinorin pranveror. Para ndeshjeve të Superligës, Prishtina do t’i luajë dy duele të rëndësishme. Do të përballet me Dritën në kuadër të Superkupës së Kosovës, ndeshje që luhet në Antalia dhe pastaj në 1/8 e finales së Kupës me të njëjtën skuadër. Trajneri Ramadani është i gatshëm të heqë dorë prej këtyre dy trofeve për titullin e kampionit.

“Stinori pranveror është shumë i vështirë, për të marrë pikë do të kemi vështirësi ne, Drita, Ballkani dhe të gjitha skuadrat e tjera. Gjithashtu në Kupë kishim shortin e vështirë, pasi do të takohemi me Dritën, por ne gjithsesi që do të takoheshim me Dritën për ta fituar Kupën. Luajmë si vendas dhe shpresoj në kualifikim. Objektivi kryesor i Prishtinës është titulli kampion. Si trajner do t’i kisha dhënë edhe Superkupën, edhe Kupën për titullin e kampionit. Shpresojmë që deri në fund të jemi në garë, do t’ia lëmë kohës të shohim se si do të shkojë”, theksoi Ramadani.

Së fundi Prishtina ka larguar gjashtë futbollistë. Trajneri nga Shkupi ka bërë të ditur se klubi mund të sjellë të paktën një lojtar gjatë afatit kalimtar të janarit.

Sulmuesi i Prishtinës, Leutrim Kryeziu, është optimist për titullin e kampionit. Ish-sulmuesi i Dritës, ekip me të cilin ishte shpallur kampion, është i bindur se Prishtina mund të bëhet kampione e këtij edicioni.

“Përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë. Jemi duke punuar shumë që të jemi të gatshëm për stinorin pranveror. Jemi në garë edhe për titull të kampionit, që është synimi kryesor i yni. Besoj se nëntë pikë nuk janë shumë dhe do të arrijmë në fund të jemi në pozitën e parë dhe të shpallemi kampion”, theksoi Kryeziu.

Sulmuesi i krahut, Gauthier Mankenda, i cili është pjesë e Prishtinës që nga viti 2016, është në kërkim të titullit të parë me fanellën e ekipit nga kryeqyteti. Mankenda sikurse Kryeziu beson se ky edicion do të jetë i Prishtinës.

“Nëntë pikë jemi larg vendit të parë që e mban Drita, por nuk janë edhe aq shumë pasi realisht janë tri ndeshje dhe ka shumë takime për t’u luajtur. Ne do të japim maksimumin që të fitojmë ndeshje pas ndeshjeje dhe sigurisht që ambiciet janë që të fitojmë titullin e kampionit këtë vit. E dimë se nuk do të jetë e lehtë, por kemi një skuadër shumë të mirë”, potencoi sulmuesi afrikan.