Sport

Prishtina përballë një tjetër kampioni, por në Ligën e Konferencës

Kampionia e Kosovës në futboll, Prishtina, e ka zhvilluar të hënën seancën e fundit stërvitore para ndeshjes kundër ekipit nga Uellsi, Connah’s, në kuadër të Ligës së Konferencës.

Të hënën në mbrëmje lojtarët prishtinas kanë ushtruar skemat, të cilat planifikojnë t’i përdorin në duelin ndaj uellsianëve.

Ndeshja e parë mes Prishtinës dhe Connah’s zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, prej orës 18:00. I takon rrethit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë evropian. Dueli i kthimit luhet më 27 korrik në Uells.

Për herë të parë pas gati një viti e gjysmë, Prishtina luan ndeshje me praninë e shikueseve në stadium. Sipas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës mund të shfrytëzohet 30 për qind e kapacitetit të stadiumit. Çmimet e biletave janë 3, 5 dhe 10 euro.

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, ka thënë në konferencën për media se skuadra që drejton kërkon vetëm fitore përballë Connah’s në Ligën e Konferencës.

Sipas tij, Prishtina ka ekip më cilësor, por Ramadani nënvizon se duhet të futen me seriozitetin më të madh.

“Përballë kemi një kundërshtar që do të jetë më ndryshe nga ekipi që patëm në Ligën e Kampioneve. Një ekip që mbrohet shumë mirë dhe nuk sulmon. Ndoshta u mungon edhe atyre eksperienca e duhur. Ne duhet të futemi me seriozitetin më të madh për ta fituar këtë ndeshje dhe për ta bërë punën më të qetë para ndeshjes së kthimit. E njohim mirë kundërshtarin, e kemi parë ndeshjen e fundit të tyre. E kemi studiuar. I dimë pikat më të forta dhe më të dobëta të kundërshtarit. Jemi më të mirë dhe atë kualitet që kemi duhet ta shfaqim në fushë”, tha Ramadani.

“Kemi punuar këtë javë, sepse e kemi ditur me kë do të luajmë. 20-30 për qind nëse arrijmë ta shfaqim në ndeshje atë që e kemi punuar në stërvitje jam i bindur që do të dalim me fitore”.

Ramadani shtoi se motivi është i madh. Sipas tij, Prishtina do të heqë dorë nga loja e bukur për të arritur objektivin. Ai tregon rrezikun që mund të vijë nga ekipi kundërshtar.

“Motivi është i madh. Mendoj që jemi të barabartë, nuk jemi si ndaj Ferencvaroshit që ishte favorit absolut. Objektivi ynë është ta kalojmë këtë raund, e jo vetëm për të luajtur. Do të heqim dorë nga loja e bukur. Objektivi kryesor do të jetë kalimi i këtij raundi. Nuk kisha thënë që janë më të përgatitur fizikisht se Fenerencvaroshi. Ky ekip është më ndryshe, luan në mbrojtje. Në ndeshjen e fundit në Armeni nuk ka dalë fare në sulm. Kanë stil ndryshe. Arma e tyre më e fortë janë ndërprerjet, kanë disa lojtarë të gjatë. Do të marrim masa që të ketë sa më pak ndërprerje. Jemi më të mirë, edhe pse nuk e llogaris veten favorit, pasi atë duhet ta tregojmë në fushë”, deklaroi Ramadani.

Ai konfirmoi mungesën e Leonit Abazit, Sabjen Lilajt dhe Qëndrim Zybës. Ramadani theksoi se për çdo dështim përgjegjësinë do ta marrë ai.

Trajneri nga Shkupi shtoi se kthimi i tifozëve në tribuna i ka gëzuar të gjithë.

“Kthimi i tifozëve na gëzon të gjithëve. Do ta kemi përkrahjen e Plisave. Ata e kanë dëshmuar se janë më të mirët. Kjo do të jetë një forcë shtesë për ne. Nesër kemi festë fetare, shpresojmë me fitore t’jua urojmë festën. Me përkrahjen e Plisave dhe qytetarëve të Prishtinës do të jemi më ndryshe. Dështim do të ishte nëse eliminohemi. Jemi të barabartë, me kualitet pak më të lartë. Përgjegjësinë për dështim e marr unë. Por ne do të japim maksimumin që të kalojmë në raundin e tretë”.

Mbrojtësi i krahut të majtë, Gledi Mici, thotë se Prishtina është përgatitur maksimalisht për duelin e së martës kundër Connha’s. Mici beson se do t’ia dalin në ndeshjen e parë, në mënyrë që takimin e kthimit ta kenë më të lehtë.

“Jemi përgatitur që të marrim maksimumin. Nuk është e lehtë pasi janë kampionë të vendit të tyre. Jemi në avantazh, kemi ekip më cilësor, por këtë duhet ta tregojmë në fushë në dy ndeshje. Shpresojmë në rezultat pozitiv dhe ta kemi më të lehtë ndeshjen e kthimit”, tha Mici.

Stërvitjen e parë dhe të fundit në “Fadil Vokrri” e ka kryer edhe ekipi i Connah’s, të hënën në mbrëmje. Ekipi uellsian nuk ka mbajtur fare konferencë për media. Por, gjatë ditës së hënë, skuadra e Connah's Quay Nomads ka njoftuar se një lojtar ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Emri i futbollistit nuk është bërë i ditur, por është theksuar se edhe një lojtar është vetizoluar pasi ka pasur kontakt me lojtarin e infektuar, pavarësisht se ai ka rezultuar negativ. Sipas njoftimit të Connah’s, zhgënjimi është i madh te lojtarët. Ndërkohë, lajm pozitiv është se kapiteni George Horan dhe Tom Bibby kanë udhëtuar me skuadrën.

Fituesi i ndeshjes ndërmjet Prishtinës dhe Connah’s, do të kalojë në rrethin e tretë të Ligës së Konferencës ku do të takohet me fituesin e duelit, FK Bodo–Valur.

Prishtina për herë të parë në histori të klubit ishte pjesë e kualifikimeve të Ligës së Kampionëve. Pasi kishte fituar turneun parakualfikeuse, duke mposhtur Folgoren 2:0 dhe Inter D’Escaldesit me të njëjtin rezultat, kaloi në raundin e parë të Championsit ku u përballë me Ferencvaroshit e Hungarisë. Ekipi kosovar i humbi të dyja ndeshjet, 3:0 në Budapest dhe 3:1 në Prishtinë. Për Prishtinën është hera e katërt që po merr pjesë në garat evropiane.

Ndërkohë, Connah’s, në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve u eliminua nga Alashkerti i Armenisë pas vazhdimeve. Dhe njëjtë si Prishtina u bart në Ligën e Konferencës.