Sport

Prishtina paralajmëron kthim të fuqishëm

Sigal Prishtina ka mbetur pa Meriton Ismailin, por po shpreson që të ndalë në skuadër lojtarët e tjerë vendorë që bartën barrën në edicionin e kaluar. Kështu të paktën ka thënë Edmond Azemi, drejtor sportiv i klubit prishtinas. Vetëm pasi të konfirmojë vendorët, Prishtina do të nisë me përforcime të huaja.

Sigal Prishtina, skuadra më e suksesshme e basketbollit në vend, nuk ka bërë ende ndonjë përforcim për edicionin e ri. Me përforcime tashmë kanë nisur Trepça e Ponte Prizreni, ndërsa në vlugun e punëve është edhe Golden Eagle Ylli.

Prishtina në fakt ka angazhuar trajnerin turk, Ekrem Memnun, që edhe më herët ka drejtuar skuadrën e kaltër. Por lojtarë, të paktën zyrtarisht, nuk ka angazhuar ende.

“Fillimisht do të nisim bisedimet me lojtarët vendorë që kanë qenë pjesë e skuadrës në edicionin e shkuar. Jemi në bisedime me Lejson Zeqirin, Jetmir Zeqirin, Muhamedali Janjevën dhe Jan Palokajn, që të mbeten pjesë e ekipit edhe më tutje. Besoj se këta basketbollistë do të luajnë për Prishtinën edhe në kampionatin e ri”, ka thënë Azemi të premten për KOHËN.

Ai ka pranuar kontaktet me Edon Maxhunin, por ka treguar se nuk ka ndonjë gjë konkrete deri më tani.

“Fillimisht jemi duke shikuar të përforcohemi me lojtarë vendorë. Kemi pasur kontakte me Maxhunin, por nuk ka asgjë konkrete. Kam biseduar edhe me Dardan Berishën. Bisedimet me Berishën janë duke vazhduar dhe po shpresojmë që të arrijmë marrëveshje. Jemi duke hulumtuar tregun për të kompletuar ekipin sa u takon lojtarëve vendorë. Më pas do të shohim se çfarë lojtarësh të huaj do të marrim. Sigurisht që në bashkëpunim me trajnerin Ekrem Memnun do të vendosim edhe për lojtarët e huaj”, ka shtuar Azemi, ikonë e klubit të kaltër.

Prishtina është paraqitur për të garuar në FIBA Europe Cup, që është niveli i garave kontinentale për klube të basketbollit. Prishtina kthehet në skenën evropiane pas tre vjetësh. Në FIBA Europe Cup do të garojë edhe Trepça. Ndërkohë kampioni Golden Eagle Ylli do të garojë në Ligën e Kampionëve.

“Këtë edicion do të paraqitemi në FIBA Europe Cup dhe dëshirojmë të ndërtojmë një skuadër konkurruese që të kemi paraqitje sa më të mirë në garat evropiane. Por sigurisht që synimi mbetet që edhe në Superligë të kemi një skuadër të fortë. Duam të luftojmë për trofe në edicionin e ardhshëm. Superliga do të jetë edhe më e fortë, pasi të gjitha skuadrat kanë filluar të bëjnë përforcime. Gara do të jetë më interesante dhe liga gjithsesi më konkurruese”, ka shtuar Azemi.