Prishtina do të përballet me Ferencvaroshin në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e parë do të luhet në Budapest më 6 korrik, kurse e kthimit më 13 korrik në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku edhe do të përcaktohet se cila skuadër do të kalojë tutje.
Drejt Budapestit, Prishtina do të niset më 5 korrik. Kampionia e Kosovës do të luajë ndaj klubit të parë hungarez që ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve në edicionin 1995/96. Ferencvaroshi ishte pjesë e fazës së grupeve edhe në sezonin e kaluar (2020/2021), ku përfundoi në vendin e fundit me vetëm një barazim ndaj Dynamo Kyivit 2:2. Në të njëjtin grup ishin edhe Barcelona dhe Juventusi. Në letër, Ferencvaroshi është favorit absolut kundër Prishtinës. Megjithatë, ekipi kosovar nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Te ekipi hungarez luan edhe futbollisti i Shqipërisë, Myrto Uzuni. Që nga e hëna ekipi i Prishtinës i ka nisur përgatitjet, të cilat po i zhvillon në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, në fushë me bari natyral. Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, thotë se atmosfera te Prishtina para duelit me Ferencvaroshin është shumë e mirë.
“U rikthyem me punë normale të hënën, ishte stërvitje rigjeneruese pas atyre dy takimeve të rëndësishme. Atmosfera është shumë pozitive. Kurse kemi filluar t’i zhvillojmë stërvitjet në Drenas, ku kemi kushte shumë të mira për stërvitje me intensitet të lartë. Shfrytëzoj rastin të falënderoj kryesinë e Feronikelit që na lejoi të përgatitemi për këtë ndeshje”, u shpreh Ramadani.
Ramadani e ka drejtuar edhe Trepçën ’89 dhe Feronikelin në Ligën e Kampionëve. Rrethi i parë ka qenë e arritura më e madhe e tij. Tani shkupjani mendon se e ka ekipin më të fortë. Ndaj Ferencvaroshit thotë se nuk do të udhëtojnë me flamur të bardhë, pavarësisht që e di shumë mirë forcën e ekipit kampion të Hungarisë.
“Mendoj dhe jam i bindur që tani e kam ekipin më të fortë dhe do të japim maksimumin që të bëjmë më të mirën përballë një kundërshtari shumë të fortë. E shoh si ekip që ka luajtur në grupet e Ligës së Kampionëve, çfarë duhet të them më shumë për kundërshtarin. Por nuk do të shkojmë me flamur të bardhë dhe të dorëzuar, pasi në futboll gjithmonë ka gjasa edhe për më të dobëtin”, ka deklaruar Ramadani, i cili konfirmon vetëm mungesën e Leonit Abazit. “Abazi nuk do të jetë, kjo është e sigurt. Kurse për të tjerët shpresoj që do të mund të llogaris në secilin futbollist”.
Kapiteni i Prishtinës, Lorik Boshnjaku, e di shumë mirë forcën e Ferenvaroshit. Megjithatë, ai shtoi se befasitë janë të mundshme në futboll dhe se Prishtina do të japë më të mirën nga vetja për t’u dëshmuar si skuadër e fortë.
“Ferncvaroshi dihet që është një ekip i fortë, e normalisht që shumë më i fortë se këto ekipet që ia dolëm t’i mposhtim në turneun parakualifikues. Por ne nuk do të udhëtojmë atje me flamur të bardhë dhe as nuk do të jemi vetëm pjesëmarrës, sepse do të japim maksimumin. Në futboll asnjëherë nuk dihet, pra nuk fitojnë gjithmonë favoritët. Shpresojmë që në ndeshjen e parë të marrim një rezultat pozitiv dhe mendoj që kjo është gjëja më e rëndësishme e takimit të parë”, tha Boshnjaku.
Maksimumin e premton edhe mbrojtësi i krahut të djathtë, ndër më të mirët te Prishtina në edicionin e fundit, Besnik Krasniqi.
“Stërvitjet për ndeshjen e radhës kundër Ferencvaroshit janë duke shkuar shumë mirë. E dimë që do të jetë ndeshje e vështirë, por ne jemi mjaft të motivuar pasi do të jetë një përvojë shumë e mirë për neve. Do të japim maksimumin, do të bëjmë më të mirën dhe do të shikojmë se si do të shkojnë gjërat”, ka thënë Krasniqi.
Për të arritur në fazën e parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve, Prishtinës iu desh që të fitonte turneun parakualifikues që u mbajt në Elbasan dhe në Durrës.
Prishtina, të dy ndeshjet e këtij turneu i zhvilloi në stadiumin “Elbasan Arena” në Elbasan. Në gjysmëfinale e mposhti Folgoren e San Marinos me shifrat 2:0. Ndërsa me rezultatin identik e fitoi edhe finalen kundër Inter D’Escaldesit të Andorrës. Nëse Prishtina ia del ta eliminojë Ferencvaroshin, atëherë në rrethin e dytë kualifikues të Championsit do të takohet me fituesin e duelit ndërmjet Zhalgirisit (Lituani) dhe Linfieldit (Irlandë e Veriut). Ndërkaq nëse eliminohet, atëherë Prishtina do të luajë në raundin e dytë të Ligës së Konferencës me humbësin e takimit ndërmjet Connah's Quay Nomads (Uells)dhe Alashkert (Armeni). Ndërkohë, në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës do të luajnë Drita dhe Llapi. Skuadra e Dritës do të përballet me Deçiqin e Malit të Zi, derisa Llapi do të luajë kundër skuadrës së Shkupit.