Pas dy humbjeve rresht që e lanë prapa në garën për titullin e kampionit, skuadra e Ballkanit do ta kërkojë këndelljen në ndeshjen derbi ndaj Dritës. Kështu ka paralajmëruar sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, të premten për KOHËN.
Derbi mes Dritës dhe Ballkanit zhvillohet të dielën në stadiumin e qytetit në Gjilan prej orës 15:00 dhe i takon xhiros së 34-t në Superligën e Kosovës në futboll.
Humbjet nga Drenica (2:1) në udhëtim dhe Arbëria (3:2) në shtëpi kanë bërë që Ballkani të bjerë në pozitën e tretë në tabelë me 67 pikë, pesë më pak se Prishtina që kryeson dhe dy më pak se Drita që zë vendin e dytë. Madje humbja nga Arbëria të enjten solli edhe shkarkimin e trajnerit Bledi Shkëmbi, i cili një ditë më vonë u zëvendësua me ndihmësin Ardian Basha, që do ta udhëheqë ekipin në tri ndeshjet e fundit të këtij sezoni.
“Është e vërtetë që kemi mbetur pak mbrapa në luftën për titullin e kampionit, por nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi deri në fund. Ndërsa, sa i përket ndeshjes me Dritën, është një derbi i fortë dhe nuk do të jetë aspak lehtë. Mirëpo, ne nuk kemi çfarë të humbim dhe do të dalim në fushë për fitore”, është shprehur Krasniqi.
Për dallim prej Ballkanit, Drita nuk di për humbje në tri ndeshjet e fundit. Ka regjistruar dy barazime dhe një fitore, kurse po shpreson ta mbajë hapin me Prishtinën deri në fund në luftën për titullin e kampionit. Drita ka tri pikë më pak se Prishtina, ekip që do të përballlet me Feronikelin gjithashtu të dielën në termin të njëjtë.
Ndeshje Prishtina – Feronikeli luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe te Prishtina insistojnë se nuk kanë hapësirë për gabime. Derisa Prishtina po lufton për ta mbajtur pozitën e parë, skuadra e Feronikelit po lufton për të ikur nga zona e rrezikshme. Nikli aktualisht renditet i shtati në tabelë me 38 pikë, dy më shumë se Trepça ’89 që është në pozitën e nëntë, e cila dërgon sezonin e ardhshëm në Ligën e Parë.
Te Feronikeli insistojnë se synimi është të marrin rezultat pozitiv për ta bërë një hap para drejt mbijetesës.
“Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, me Prishtinën që e ka objektiv titullin e kampionit, kurse ne mbijetesën. Është ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat dhe pres një lojë të mirë. Prishtina po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme, por ne do të mundohemi t’ia ndalim hovin. Jemi mobilizuar dhe jemi të përgatitur që të marrim një rezultat pozitiv në këtë takim”, ka thënë mbrojtësi i krahut të djathtë i Feronikelit, Përparim Islami.
Ndërkohë, Prishtina po synon të vazhdojë me formën e mirë dhe e ka në mendje fitoren e tetë në nëntë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar edhe një barazim. Prishtina nuk di për humbje prej xhiros së 25-të kur u mposht pikërisht nga Feronikeli në Drenas me rezultatin 2:0.
Kapiteni i Prishtinës, Besnik Krasniqi, ka insistuar se dueli me Feronikelin është edhe finalja e radhës, të cilën duan ta fitojnë për të mbetur në krye të tabelës.
“Është finalja e radhës të cilën duhet ta fitojmë, pasi kemi bërë një punë të madhe deri tash. Kemi shkuar ndeshje pas ndeshjeje dhe duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, pasi vetëm kështu mund të shpallemi kampion në fund të sezonit”, ka thënë Krasniqi. “Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse Feronikeli nuk vjen i dorëzuar, por unë kam besim në skuadrën se do ta japë maksimumin për ta marrë fitoren e radhës, që do të jetë shumë e rëndësishme në rrugëtimin tonë”.
Triumfi në Suharekë e ka motivuar Arbërinë e Dobrajës që në duelin kundër Drenicës ta kërkojë fitoren. Aktualisht Arbëria zë vendin e tetë në tabelë, që garanton barazhin. I ka 36 pikë, pesë më pak se Drenica që nuk di për humbje në pesë ndeshjet e fundit. Ky duel do të luhet në fushën sintetike në Gjilan.
“Si në secilën ndeshje deri më tani, edhe në këtë ndaj Drenicës do të futemi me besim të madh në forcat tona për fitore”, ka thënë shkurt trajneri i Arbërisë, Arbnor Morina.
Të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje do të zhvillohen të dielën nga ora 15:00.
Skuadra e Trepçës ’89, që është e parafundit në tabelë me 36 pikë, e pret në stadiumin “Riza Lushta” Gjilanin që nuk ka ndonjë objektiv për këtë sezon dhe zë vendin e katërt në tabelë me 48 pikë të mbledhura. 89-shi nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit, ku ka regjistruar katër humbje e një barazim, derisa Gjilani ka dy barazime e një fitore në tri përballjet e fundit. Ndërkohë, Llapi llogaritet favorit në shtëpi përballë Besës së Pejës, që tashmë i ka thënë lamtumirë Superligës.
Superliga – 34
E diel (15:00)
Drita – Ballkani
(Arbitra: V. Kastrati, F. Sekiraqa, M. Berisha, B. Ajeti)
Prishtina – Feronikeli
(M. Bejtullahu, I. Kabashi, A. Ejupi, V. Ibërdemaj)
Trepça ’89 – Gjilani
(Abitra: B. Kasumi, E. Zeqiri, V. Kelmendi, B. Jahmurataj)
Arbëria – Drenica
(Arbitra: Sh. Murtezi, F. Berisha, B. Selimaj, I. Mehmeti)
Llapi – Besa
(Arbitra: G. Nuza, L. Muhadri, G. Hyseni, A. Halilaj)
