Ende pa e nisur edicionin e ri të Superligës së Kosovës, FC Prishtina mund të ballafaqohet me probleme të vitit të kaluar, nëse gjendja në terrenin e stadiumit “Fadil Vokrri” mbetet e njëjtë.
Prishtina në fundjavën e ardhshme e luan në shtëpi ndeshjen e xhiros së parë kundër Feronikelit ’74. Para Prishtinës, më 10 gusht, Ballkani do ta luajë në “Fadil Vokrri” kundër Lincoln Red Imps, në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Gjendja në terrenin e stadiumit të vetëm që i plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare vazhdon të rëndohet. Ndeshje kualifikuese të Ligës së Konferencës në “Fadil Vokrri” zhvilluan edhe Drita, Gjilani e Dukagjini. Të shtunën mbrëma u organizua mbrëmje boksi. Shiu nuk është ndalur dhe kështu fusha u rëndua edhe më shumë. Koha për rikuperimin e fushës është shumë e shkurtër. Lajmi i vetëm i mirë për futbollin është se një koncert i planifikuar për fundjavën e ardhshme është zhvendosur diku tjetër.
Federata e Futbollit e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS në lidhje me gjendjen aktuale të terrenit. Nuk ka informatë se si do të menaxhohet kjo situatë.
Ndërkohë drejtori i FC Prishtinës, Artan Osmani, ka theksuar se “bardhekaltrit” janë të vendosur të luajnë në stadiumin e vet.
Ai të dielën për KOHËN theksoi se Prishtina nuk ka menduar për opsion të dytë, në rast se “Fadil Vokrri” nuk është gati për lojë kampionale në vikendin e ardhshëm.
“Opsion të dytë nuk kemi menduar. Definitivisht jo që insistojmë të luajmë, por nuk kemi rrugë tjetër, përveç nëse stadiumi bëhet krejtësisht lloç. Nuk po mundemi t’i përballojmë as kostot. Nuk po kemi as mundësi të tjera, atë stadium e kemi. Po na kushton edhe në aspektin financiar, edhe në të gjitha aspektet e tjera. Kemi edhe problem në aspektin organizativ. Dërgo lojtarët diku tjetër, paguaj sigurim më të shtrenjtë, paguaj edhe stadiumin ku po luajmë. Kështu dëmtohen ekonomikisht të gjitha klubet, jo vetëm ne. Vetëm po na shkaktojnë kosto shtesë”, është shprehur Osmani, i cili tha se nga fillimi i javës do ta shohin edhe gjendjen në të cilën është fusha.
Ai ka shtuar se nuk kanë biseduar me FFK-në në lidhje me çështjen e stadiumit.
“Ne nuk kemi pse të bisedojmë me FFK-në. Ne nuk kemi ku të luajmë diku tjetër përveç nëse dëmtohet shumë dhe është e pamundur të luajmë. Do të duhej të ishte i gatshëm për lojë edhe për Ballkanin, edhe për ne. Por duhet ta shohim se si është gjendja. Me siguri se është planifikuar që terreni të kthehet në gjendje që të mund të luajmë në të”, ka thënë Osmani, i cili e pranon se ekziston rreziku që fusha të mos jetë e gatshme për lojë në fundjavë.
“Po e lënë që terreni të vijë në situatë që të mos jetë në gjendje të mirë për askënd. Por nëse dikush luan aty, do të luajmë edhe ne. Nëse është krejtësisht e papërshtatshme për lojë, nuk kemi çfarë të bëjmë”, deklaroi drejtori i Prishtinës.
Sipas Osmanit, kjo temë as që është dashur të diskutohej sepse terreni duhet të mirëmbahet. Një gjë e tillë nuk po bëhet, sipas Osmanit.
“Po shihet që mirëmbajtja ka qenë zero dhe tash e kanë sjellë në situatë si të jetë totalisht pa përkujdesje. Në çdo vit po na sjellin në këtë situatë. Le të deklarohen që nuk munden ta mbajnë dhe të shohim ta gjejmë një zgjidhje. Kjo është bërë totalisht joserioze”.
Osmani vazhdoi tutje duke thënë se Prishtina është e gatshme për nisjen e edicionit të ri, madje me synimin për të luftuar për titull kampioni e trofe të Kupës së Kosovës.
Prishtina përgatitjet e fundit para edicionit të ri i ka kryer në Pogradec të Shqipërisë.
Por mbetet të shihet nëse kampionatin do ta nisë në shtëpinë e saj.
Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ishte paraparë që të mbahej edhe koncerti i këngëtarit “Capital T”, djalit të kryetarit të FFK-së, Agim Ademi. Megjithatë, është ndryshuar lokacioni i koncertit.
Ngjarje në stadiumin “Fadil Vokrri” do të ketë edhe në fillim të shtatorit.
Më 9 shtator Kosova e pret Zvicrën për ndeshjen kualifikuese të “Euro 2024”. Kosova U21 pas tri ditësh, në po të njëjtin stadium, luan kundër Gjermanisë U21. Edhe ky ballafaqim do të jetë për kualifikime të “Euro 2025”.
Ekipi senior i Kosovës dhe Kosova U21, ndeshje në “Fadil Vokrri” do të luajnë edhe në tetor e nëntor. Do të luajnë edhe futbollistet e Kosovës e potencialisht edhe Ballkani në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Por nuk dihet nëse Prishtina do ta ketë të njëjtin fat për ndeshjet kampionale.
Prishtina po në “Fadil Vokrri” në edicionin e fundit e fitoi Kupën e Kosovës, por nuk u paraqit në skenën evropiane. Pati telashe me licencim.
Stadiumi është pronë e Komunës së Prishtinës, ndërsa e menaxhon FFK-ja. Por tradicionalisht është njohur si stadium i klubit të futbollit Prishtina.
Fusha e stadiumit ka kohë që është shumë e rënduar. Në disa pjesë nuk ka fare bari e në disa pjesë të tjera bari është më i madh se që duhet. Të gjitha ekipet evropiane që luajtën javët e fundit në “Fadil Vokrri” janë ankuar në gjendjen e fushës.