Skuadra e Prishtinës do të udhëtojë të dielën në Klinë për t’u përballur me skuadrën e Dukagjinit.
“Bardhekaltrit” synojnë vazhdimin e ecurisë pozitive, pas fitores së madhe të arritur në derbi ndaj Dritës. Megjithatë për Prishtinën ballafaqimet me klinasit kanë qenë shumë të vështira së fundmi.
Ndeshja Dukagjini – Prishtina zhvillohet të dielën nga ora 13:00 dhe i takon xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në futboll. Prishtina është e katërta në tabelë me 21 pikë të mbledhura. Nuk ka pësuar humbje në tri ndeshjet e fundit kampionale.
Në pesë ndeshjet e fundit, në ligë dhe në garën për Kupë, Prishtina ka fituar vetëm një herë përballë klinasve. Tri fitore i ka Dukagjini, ndërsa dueli i parë i këtij edicioni ishte mbyllur baras, 2:2.
Fitoren e fundit në ligë ndaj Dukagjinit, Prishtina e ka arritur më 8 tetor të vitit të kaluar.
Kapiteni i Prishtinës, Mërgim Pefqeli, e di mirë se një fitore në udhëtim këtë fundjavë do ta afronte skuadrën edhe më shumë me zonën që dërgon në Evropë, ndonëse ka shumë xhiro deri në përfundim të kampionatit.
Ai pret ndeshje të vështirë.
“Do të përballemi me Dukagjinin që është shndërruar në një skuadër të papërshtatshme kohët e fundit. Por, besoj që pas fitores me Dritën do të vazhdojmë me ecuri të mirë edhe në këtë xhiro. Besoj që një fitore e mundshme do të na mbante shumë më afër Evropës”, ka deklaruar Pefqeli për KOHËN.
Dukagjini i Klinës është dy pozita prapa Prishtinës në tabelë. Zë vendin e gjashtë me 20 pikë, aq sa ka edhe Malisheva në vendin e pestë.
Sulmuesi i krahut te Dukagjini, Altin Merlaku, ka shënuar katër gola këtë edicionin. Të fundit e shënoi në fitoren 3:0 në udhëtim ndaj Fushë Kosovës.
Merlaku e ka vlerësuar skuadrën e Prishtinës.
“Prishtina ka skuadër mjaft të mirë. Me Prishtinën gjithmonë është zhvilluar lojë e fortë. Ne jemi përgatitur mjaft mirë dhe duke parë edhe ndeshjet e fundit që kemi rezultate të mira, mbetemi të motivuar për të qëndruar lartë në tabelë. Puna në skuadër po shkon mirë dhe jemi të kënaqur si në aspektin financiar, ashtu edhe me trajnerët dhe të gjithë të tjerët. Kemi atmosferë pozitive dhe me rëndësi është që këtë gjysmë të edicionit ta përfundojmë lartë në tabelë”, theksoi Merlaku.
Xhiroja e 16-të e Superligës nis të shtunën me dy ndeshje, Llapi – Malisheva dhe Liria Gjilani.
Malisheva synon të bëjë befasi dhe të marrë pikët përballë Llapit në Podujevë. Llapi është i dyti me 28 pikë.
“Disfata nga Ballkani vetëm se na ka rritur motivin për punë. Jemi duke u munduar të përmirësohemi në problemet që i kemi shfaqur gjatë asaj ndeshjeje. Llapi është në seri të mirë, por ne do të mundohemi të marrim tri pikë edhe pse Llapi është favorit për arsye se luan në shtëpi”, deklaroi trajneri i Malishevës, Qëndrim Kida.
Të dielën luhen edhe ndeshjet Ballkani – Fushë Kosova dhe Drita – Feronikeli 74.
Te Drita do të debutojë trajneri Zekirija Ramadani. Ramadani e zëvendësoi në postin e trajnerit Akis Vavalisin. Në Kosovë, Ramadani ka fituar tre tituj të kampionit.
Superliga - XVI
E shtunë (13:00)
Liria – Gjilani
Llapi – Malisheva
E diel (13:00)
Ballkani – Fushë Kosova
Dukagjini – Prishtina
Drita – Feronikeli 74
1. Ballkani 13 11 2 0 27:8 35
2. Llapi 15 8 4 3 22:12 28
3. Drita 14 7 4 3 18:8 25
4. Prishtina 15 4 9 2 19:17 21
5. Malisheva 15 6 2 7 23:21 20
6. Dukagjini 15 4 8 3 19:19 20
7. Feronikeli 74 15 4 3 8 15:25 15
8. Gjilani 14 4 2 8 9:16 14
9. Fushë Kosova 15 2 4 9 11:25 10
10. Liria 15 1 6 8 13:25 9