Skuadra kampione e Kosovës në futboll për vitin 2021, Prishtina, do të marrë pjesë në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve për herë të parë. Ndërkohë do të jetë edicioni i pestë që Prishtina do të paraqitet në garat evropiane. Katër herë ishte pjesë e kualifikimeve të Ligës së Evropës. Arritja më e madhe ka qenë faza e parë kualifikuese.
Për t’u paraqitur sa më mirë dhe për të arritur suksese, ekipi që po drejtohet nga trajneri Zekirija Ramadani ka filluar të mendojë për transferime. Por, krahas përforcimeve do të ketë edhe largime.
Drejtori sportiv i Prishtinës, Fisnik Kërçeli, ka deklaruar për KOHËN se 95 për qind e ekipit aktual do të jetë pjesë e klubit për garat evropiane dhe për edicionin tjetër.
“95 për qind e ekipit aktual kanë kontrata afatgjate me klubin dhe do të jenë pjesë e Prishtinës për garat evropiane dhe për edicionin tjetër”, tha Kërçeli, të hënën.
Ai konfirmoi se janë duke punuar që në kryeqytet të transferojnë disa futbollistë për ta përforcuar skuadrën për ndeshjet që do t’i luajë në Ligën e Kampionëve, si dhe në sezonin e ri. Por Kërçeli konfirmon se do ta kenë problem që të sjellin të gjithë që i duan, shkaku edhe i krizës që ka shkaktuar koronavirusi.
“Do të ketë përforcime për ndeshjet që do t’i kemi në parakualifikimet e Ligës së Kampionëve. E kemi një listë të lojtarëve që duam t’i transferojmë te Prishtina. Nuk do të jetë e lehtë për shkak të krizës që e ka shkaktuar koronavirusi, por do të bëjmë të pamundurën që ata lojtarë që i kemi në listë t’i sjellim në kryeqytet”, tha ai.
Sipas Kërçelit, ardhjet e reja do të bëhen në koordinim me trajnerin Zekirija Ramadani.
“Ardhjet e reja do të jenë përforcime kualitative, të cilët presim të na ndihmojmë në ndeshjet ndërkombëtare që do t’i kemi e që për Prishtinën kanë rëndësi të madhe. Ne jemi në koordinim me trajnerin Zekirija Ramadani dhe së bashku do të mundohemi që të sjellim lojtarë cilësorë”, deklaroi Kërçeli, i cili konfirmon se të paktën tre lojtarë do të largohen nga Prishtina gjatë afatit kalimtar të verës.
“Sa u përket largimeve, mund të them se deri më tani do të largohen së paku tre futbollistë. Emrat nuk dua t’i bëj publikë në këtë moment, por që është e sigurt që do të ketë edhe largime nga skuadra”.
Ndërkohë trajneri Zekirija Ramadani ditë më parë ka thënë për KOHËN se do të ketë ardhje të reja, por vetëm lojtarë që e bëjnë dallimin. Ai ende nuk ka vendosur se kush do të largohet.
Për Ramadanin ka rëndësi cilësia e jo numrat.
“Do të mundohemi të bëjmë përforcime aty ku mendojmë që do të arrijmë ndonjë futbollist që do të bëjmë diferencën. Vetëm futbollistët që e kanë treguar veten, që e kanë dëshmuar veten dhe që kanë bagazh. Sa u përket numrave, ne nuk kemi nevojë për numra, por për një konkurrencë të shëndoshë”, ka thënë Ramadani. Ai ka premtuar maksimumin për ta prezantuar sa më mirë futbollin e Kosovës në garën e madhe evropiane për klube. Trajneri nga Shkupi ka thënë se do të mundohen që të kryejnë fazën përgatitore në një vend të përshtatshëm për të qenë sa më të gatshëm.
Me Ramadanin në krye, Prishtina ia doli që të fitonte titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll për herë të parë pas tetë vjetësh. Ky ishte titulli i 11-të për Prishtinën që nga pavarësimi i futbollit kosovar.